
Krasniqi i PDK-së: Bllokues janë ata që imponojnë, ne duam kompromis e zgjidhje për kryeparlamentarin
Altin Krasniqi, deputet nga rradhët e PDK-së, ka kritikuar qasjen gjithpërfshirëse, se krejt deputetët janë bllokues. Ai ka thënë se s’mund t’i referohet bllokues dikujt që ka dhënë alternativë, mirëkuptim e zgjidhje. Por, veç atyre që po duan ta imponojnë, vetëm e vetëm një emër, pa i pasur numrat.
Postimi i plotë:
Bllokues nuk janë ata që ofrojnë alternativa, por ata që imponojnë vetëm një zgjidhje si të vetmen të pranueshme. Të gjithë ata që i quajnë bllokues të gjithë deputetët duhet të ndalen dhe të mendojnë mirë: kush po e pengon vërtet zgjidhjen? PDK ka ofruar zgjidhje, jo për të kënaqur kërkesa të njëanshme, por për të pasur një figurë më unifikuese për të gjithë.
Është krejtësisht normale që, kur nuk i ke numrat për të zgjedhur kandidatin që dëshiron, të bësh kompromis për të mirën e vendit. Kështu funksionon demokracia, me dialog e mirëkuptim, jo me imponim.