
Krasniqi i përgjigjet Abdixhikut për qeveri të ‘opozitës’: Numrat janë, unë i siguroj 10 vota të pakicave pa Listën Serbe
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se qeveria e unitetit e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk mund të jetësohet.
Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet, pasi fillimisht është refuzuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk e kam parë planin me të thënë të drejtën. Sa i përket propozimit unë jam deklaruar disa herë. Një propozim i tillë për të pasur mundësinë e trajtimit serioz para se gjithash duhet me u shpreh të gjitha palët që kanë vullnetin dhe automatikisht që Lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar mua më vjen keq që një gjë e tillë automatikisht bëhet e pamundshme. Sepse ideja e qeverive të tilla nënkupton që të gjitha palët të jenë në tavolinë dha ta diskutojnë”, ka thënë Krasniqi
E sipas tij, në momentin kur mungon njëra parti siç është rasti i Vetëvendosjes, duket që automatikisht të merret parasysh propozimi që ka dhënë PDK-ja.
“Në momentin kur mungon Vetëvendosja i bie që kthehemi të propozimi që e kemi dhënë si PDK, qeveria e partive të ish-opozitës. Unë gjithmonë jam i hapur për ta diskutuar qeverinë që do ta krijonim si PDK me LDK-në AAK-në dhe Nismën dhe një gjë të tillë jo vetëm që e kemi vullnetin por e kemi edhe përkushtimin për ta jetësuar nëse edhe LDK e ka vullnetin e tillë”, ka thënë Krasniqi për “RTV21”.
Më tutje, ai ka garantuar se nëse LDK-ja do ta pranonte propozimin e tyre, ai personalisht do t’i siguronte 10 votat nga partitë e minoriteteve pa përfshirë Listën Serbe.
“Numrat i kemi sepse matematika është kokëfortë, nëse LDK i ka 19 deputetë që e votojnë qeverinë e opozitës së kaluar, atëherë numrat i kemi sepse bëhemi 51 dhe unë marr përsipër me i pas edhe 10 vota tjera nga partitë minoritare, por jo nga Lista Serbe, kështu që matematika është shumë e thjeshtë , numrat janë nëse ka vullnet nëse s’ka vullnet numra s’ka kurrë”, ka thënë Krasniqi.