Krasniqi i PSD-së: Afërsia e Kurtit me Lajçakun, shqetësuese

26 shkurt 2021 | 13:39

Partia Social Demokrate (PSD) ka vendosur një hartë të Kosovës në afërsi të objektit të Komunës së Prishtinës, dy ditë pasi emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shfaqur në një intervistë, ku krahas flamurit të BE-së shihet një hartë ku paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

Frashër Krasniqi nga kjo parti ka thënë se ekziston vetëm një hartë ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, dhe ajo është harta e Serbisë dhe se për ta është e papranueshme dhe shqetësuese që një hartë e tillë të përdoret edhe nga emisari i BE-së.

“Siç mund ta dini ekziston vetëm një hartë ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, dhe ajo është harta e Serbisë dhe e aleatëve të saj. Për ne është shqetësuese, e papranueshme, befasuese se si të njëjtën hartë po e përdorë edhe përfaqësuesi i BE-së në negociata, Miroslav Lajçak.  Z. Lajçak edhe sot kur doli gjoja me përgënjeshtruar paraqitjen e tij të mëhershme ku kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm administrativ, prapë e kishte përdorë një hartë ku kufiri është vijë administrative. Ky lloj referimi Kosovës si status i paqartë dhe jo e shkëputur prej Serbisë po duket se nuk është i paqëllimshëm”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, më shqetësues është mosreagimi i Kurtit për këtë çështje dhe afërsia e tij me Lajçakun.

“Tash paramendojeni çfarë rezultati mund të kenë disa negociata ne të cilat ndërmjetësuesi ka pozicion si të Serbisë, që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm kufi administrativ. Më shqetësuese është situata kur kryeministri në ardhje, Albin Kurti ka shpreh afërsi me z.Lajcak, përkundër shteteve të tjera aleate me Kosovën, ai e ka zgjedhur z. Lajçak”, ka thënë Krasniqi pas aksionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania “SHARRCEM”, njëherit edhe anëtare patron e Rrjetit CSR Kosova,…