
Krasniqi: Kosova vazhdon të jetë vend me nivel të lartë të korrupsionit
Analisti Albert Krasniqi ka komentuar Indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International për vitin 2021, i cili tregon një përparim të ndjeshëm të Kosovës në këtë fushë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky raport tregon se Kosova vazhdon të mbetet vend me nivel të lartë të korrupsionit.
Sipas tij, progresi i shënuar këtë vit është rezultat i dobët për një qeveri që vije në pushtet me platformën kundër-korrupsion.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Në Indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International, Kosova vazhdon të mbetet vend me nivel të lartë të korrupsionit. Këtë vit përparim është bërë për vetëm tre pikë. Qartësisht rezultat i dobët për një qeveri që vije në pushtet me platformën kundër-korrupsion. 39 pikë nga 100 sa është maksimumi për të qenë vend i pastër nga korrupsioni, nuk është sukses i papërjetuar më parë. Nuk mund të ndryshosh diagnozën e pacientit me rezultatet e njëjta të analizave!
Pa mohuar përparimin sado të pakët, raportimi vetëm për ngritje në ranglistë në krahasim me shtetet tjera është i gabuar, për të mos thënë manipulativ. Teorikisht, mund të kesh më pak pikë dhe të jesh më lartë në listë pasi shtetet tjera janë më keq.
Rezultatet e Transparency International nuk duhet lexuar nga këndvështrimi i shoferit në një garë automobilistike që synon të renditet sa më lartë, por të një pacienti që kërkon shërimin. Në luftën ndaj korrupsionit, jemi në garë me vetveten!