Krasniqi: Kryetarin e ri të LDK-së e pret një sfidë serioze

14 mars 2021 | 20:39

Milazim Krasniqi, një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka komentuar kuvendin e sotëm zgjedhor të kësaj partie, ku kryetar i ri u zgjodh Lumir Abdixhiku.

Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kryetarin e ri të LDK-së e pret një sfidë serioze.

“Kuvendi i sotëm i LDK-së u mbajt pa probleme. Pra, pa analizë për shkaqet e rënies drastike, pa prezentimin e ndonjë platforme politike për reforma dhe për orientimin ideologjik. Ky Kuvend u preokupua vetëm me karrigen e kryetarit, me çka de facto gjithë fajin e dështimeve ia faturoi ish kryetarit. Vërtet në atë karrige ishte i ulur një njeri i gabuar. Për atë fatkeqësi të LDK-së, më shumë kanë faj ata që e kanë instaluar aty, se sa ai vetë. Kryetarin e ri të LDK-së e pret një sfidë serioze. Brenda partisë i duhet të disiplinojë pashallarët lokalë, shumë nga të cilët janë veteranë në zhvatje, hipokrizi e pafytyrësi”.

“Jashtë partisë i ka dy mundësi: të bëhet pjesë e triumviratit Kurti-Osmani-Abdixhiku, me çka do ta shkatërronte LDK-në definivivisht, ose të hyjë në konflikt me duumviratin Kurti-Osmani, gjë që mund të jetë fillimi i rehabilitimit të LDK-së. Pse? Sepse krahas Isa Mustafës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, bashkazi, janë dy strategët e rrënimit të LDK-së. Punë e vështirë për një djalosh të ri e të papërvojë, të futur me ngut në moçalin e politikës ala ballkanike-kosovare-shqiptare”, ka shkruar Krasniqi.

Por, sipas tij, tashmë Abdixhiku e ka shansin të sprovohet në këtë moçal.

“Personalisht, i uroj sukses, sepse mbetja në skenën politike dhe ngritja e LDK-së është interes strategjik i për historinë e saj, si dhe për historinë e shtetndërtimit të Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit ka reaguar pas…