Krasniqi: Kurti po e rikthen dialogun në proces teknik, po sillet si administrator e jo Kryeministër që merr vendime
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sonte, në emisionin “Context” në ATV, ka thënë se në mungesë të dijes, kompetencës, guximit e lidershipit, Kryeministri Albin Kurti po e rrëshqet dialogun në proces teknik – nga i cili nuk pritet marrëveshje finale së shpejti.
“Shqetësimi ynë kryesorë është se dialogu po rrëshqet në proces teknik. Ndërkaq, tashmë është dashur të flitet për marrëveshjen finale me njohje të ndërsjellë. Ne besojmë që nuk duhet të ketë marrëveshje për asgjë, derisa të pajtohemi për gjithçka. Pra, të ketë një proces ku të vazhdohet të diskutohet edhe për temat teknike, por jo të ketë marrëveshje në mënyrë sporadike. Të merren vesh për të gjitha, e që i bie edhe për marrëveshjen finale”, ka thënë Krasniqi.
“Kjo Qeveri do të mbahet mend për mungesë të kompetencës dhe mungesë të dijes. Pra, mungesë totale e përvojës për të quar përpara çfarëdo lloj procesi në cilindo prej dikastereve. Pastaj është edhe mungesa e guximit. Ai që del dhe kërkon votën e qytetarëve, merr besimin e tyre, duhet të sillet si Kryeministër e jo si administrator. Ne duhet ta kemi një Kryeministër që qeverisë, që ofron lidership, që ka vizion dhe e zbaton atë. Të ketë edhe guxim”, ka shtuar ai.
Kryetari i PDK-së ka thënë se përkundër mundësisë së madhe që ekziston aktualisht, ku është hapur dritarja e mundësisë për marrëveshje në mungesë të zgjedhjeve në vendet kryesore në botë, Kurti nuk po lëvizë në atë drejtim.
“Kërkesa jonë ka qenë që të ketë edhe një afat kohor procesi i dialogut. Të githë partnerët tanë flasin për dritaren e mundësisë për procesin e dialogut në 17-18 muajt e ardhshëm. Duke u nisur nga fakti se në këtë periudhë nuk ka zgjedhje në SHBA, nuk zgjedhje në BE, as në Francë e në Gjermani, as në Kosovë e Serbi, dhe kështu mundësia është më e madhe. Por nëse 17/18 muajt e fundit nuk ka pasur progres në dialog, unë nuk mund të jem optimist se në 18 muajt e ardhshëm do të ketë përmbyllje të këtij procesi nëse nuk ka një shtytje dhe një afatizim të procesit së dialogut. Përndryshe, do të kemi një rrëshqitje në temat teknike. Në muajin e ardhshëm do të bëhet temë çështja e tabelave dhe tentimi i Kryeministrit për të zhvendosur vëmendjen nga temat serioze të vendit, kriza energjetike, inflacionin, rritjen e çmimeve etj.”, ka thënë lideri i PDK-së.
Sipas Krasniqit rikthimi në dialog teknik është ngecje dhe hapa prapa, duke u zhvendosur fokusi nga ajo që është tema më e rëndësishme, që është marrëveshja finale me njohje të ndërsjellë. Ai ka folur edhe për përfshirjen e këshilltarëve të jashtëm të presidentit Macron dhe kancelarit Scholtz.
“Unë do të doja që dialogu të përfundonte deri në fund të këtij viti. Ta marrim njohjen e ndërsjellë dhe të ecim tutje. Të lëvizin gjërat përpara. Ta heqim këtë guri që i ka mbetur Kosovës tash e sa vjet. Nuk po duket si diçka e mundshme në këtë fazë. Angazhimi shtesë i Gjermanisë dhe Francës është i mirëseardhur. Por, nëse do të ketë edhe tutje rrëshqitje në tema teknike, atëherë nuk do të ketë kurrfarë përfitimi për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.



