
Krasniqi: LV-ja nuk ka vullnet për marrëveshje, është koha për interpretim nga Gjykata Kushtetuese
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka folur sërish pas dështimit të 18-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Krasniqi ka thënë Vetëvendosje dëshiron ta vazhdojë agoninë e themelimit të institucioneve.
“Sot patën përpjekjen e njëjtë që të shtyhen këto seanca që të mbahen në kundërshtim me rregulloren një herë në javë por vullneti i partive tjera ishte që kjo të mos ndodh”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se nuk do të ishte fare e gabueshme nëse mblidhemi çdo ditë, ndoshta një presion ndaj njëri-tjetrit që të dilet nga kjo situatë. “Nuk pres që një gjë e tillë të ndodh për shkak të faktit tashmë të dëshmuar që LV-ja nuk është e interesuar të zhbllokoj situatën”, ka thënë kryetari i PDK-së.
Më tutje, ai ka thënë se shpreson që presidentja Vjosa Osmani do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me pyetje kushtetuese sesi duhet të veprohet.