Krasniqi: LV-ja pa rezultate reale, po tenton të përvetësojë proceset e nisura nga qeveritë e kaluara

22 dhjetor 2025 | 17:22

Albert Krasniqi nga organizata “Demokracia në Veprim”, ka adresuar kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar partinë e Albin Kurtit se po hyn në garën zgjedhore pa rezultate konkrete nga qeverisja e saj 5-vjeçare.

Përmes një reagimi në “Facebook”, Krasniqi ka vlerësuar se qeveria aktuale po përpiqet të paraqesë si suksese të vetat vendime dhe procese që janë iniciuar shumë më herët, apo që janë detyrime ligjore të trashëguara.

Postimi i plotë:

Në mungesë të rezultateve reale nga qeverisja 5-vjeçare, LV po hyn në zgjedhje duke tentuar t’i përvetësojë si suksese vendime dhe procese të nisura shumë më herët nga qeveritë e kaluara, për të cilat pothuajse nuk ka asnjë meritë direkte.

Disa prej tyre janë:
1. Heqja e taksës doganore 10% për veturat nga BE-ja
Kjo nuk është vendim politik i kësaj qeverie, por detyrim i paraparë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila parasheh ulje progresive dhe shfuqizim të tarifave doganore për produktet industriale brenda afateve të caktuara.

2. Heqja e kufizimit të punësimit për veteranët e UÇK-së që marrin beneficione
Ky kufizim ka qenë i paligjshëm që në fillim. Të gjitha rastet e dërguara në gjykata janë fituar nga veteranët – madje me interes – duke e detyruar shtetin ta korrigjojë gabimin.

3. “Buxheti rekord” për vitin 2026
Çdo vit buxheti quhet “rekord”, sepse çdo vit është më i lartë se ai paraprak (me përjashtim të vitit të pandemisë). Rritja e buxhetit të shtetit ka qenë graduale dhe e vazhdueshme ndër vite, jo rezultat i ndonjë reforme të jashtëzakonshme.

4. Përvetësimi i meritave për liberalizimin e vizave
Të gjitha kriteret për liberalizim janë përmbushur shumë kohë para se VV të vinte në pushtet. “Merita” e vetme politike e VV-së në këtë proces ka qenë vonesa prej rreth 5 vitesh, si pasojë e kundërshtimit të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

5. Rritja e investimeve në ushtri
Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura është miratuar me ligj në dhjetor 2018 dhe parasheh rritje të investimeve si pjesë e një plani 10-vjeçar (2018–2028). Pra, investimet aktuale janë zbatim i një plani të trashëguar, jo iniciativë e re.

6. Ulja e papunësisë dhe “salduesit nga Bangladeshi”
Rënia e numrit të të papunëve nuk është rezultat i politikave të qëndrueshme të punësimit, por pasojë direkte e emigrimit masiv të të rinjve, kryesisht për arsye ekonomike. Punëtorët e huaj po vijnë për të mbuluar boshllëqet e krijuara nga ikja, jo sepse Kosova ka krijuar ekonomi konkurruese.

Propaganda nuk zëvendëson qeverisjen.

Pa rezultate reale, tentimi për të rishkruar historinë bëhet strategjia e vetme elektorale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur vitin 2025 në vendin…