
Krasniqi: LV-ja po e mban peng vullnetin e qytetarëve, ka tejkaluar çdo kufi të racionalitetit
Pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të procesit demokratik.
Ai tha se qytetarët, katër muaj më parë, përmes votës së lirë, i dhanë fund sundimit të një partie dhe i dhanë shumicën opozitës.
“Fiks para katër muajsh qytetarët dolën në zgjedhje të lira për të dhënë verdiktin e tyre se në çfarë drejtimi e duan vendin. Qytetarët i thanë jo sundimit të një partie të katër viteve të kaluara dhe i dhanë shumicën parlamentare opozitës. Fiks para katër muajsh është pikërisht LV-ja e cila nuk po lejon të konstituohet ky vullnet duke bllokuar këtë konstituim të Kuvendit. Është kaluar çdo kufi i racionalitetit. Kjo nuk është politikë, është tendencë për të mbajtur peng vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.