
Krasniqi në Kamenicë: Votojeni Jona Arifin për kryetare
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar dje në Kamenicë në mbështetje të kandidates së PDK-së për kryetare të kësaj komune, Jona Arifi.
Krasniqi është shprehur se përmes kësaj kandidature po kërkohet fillimi një kapitulli të ri për një qeverisje të ndershme, në shërbim të qytetarëve.
“PDK është partia që gjithmonë në traditën e saj ju ka dhënë besim, hapësirë dhe mundësi të rinjve dhe grave. Njëra prej tyre është Jona e unë e them me bindje të plotë, që përfaqëson të ardhmen e Kamenicës. Me 12 tetor, zgjedhja për Kamenicën është e lehtë. Për t’u bërë ma mirë për Kamenicën duhet që të votohet numri 191, Partia Demokratike e Kosovës dhe Jona Arifi për kryetare të komunës”, ka theksuar ai.
Ndërsa, kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Kamenicës, Jona Arifi kërkoi mbështetjen e qytetarëve duke thënë se kur ata bashkohen, asgjë nuk mund t’i ndalë.
“Ne jemi të vetmit që kemi një program të qartë e të detajuar për çdo problem e çdo sfidë dhe për çdo mundësi që duhet të shfrytëzohet që Kamenica të ec përpara”, shtoi ajo.