Krasniqi në Mitrovicë: Komunat që udhëhiqen nga kryetarët e PDK-së, kampione të qeverisjes së mirë

15 dhjetor 2023 | 15:48

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar Komunën e Mitrovicës, ku së bashku me kryetarin Bedri Hamza, kanë ndjekur nga afër punimet e rëndësishme infrastrukturore që po zhvillohen në këtë komunë.

Kryetari Krasniqi ka thënë se Komuna e Mitrovicës dhe komunat tjera që udhëhiqen nga kryetarët që janë nga radhët e PDK-së, janë shembull i rikthimit të politikës në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

“Unë jam krenar si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që kryetarët e komunave që udhëhiqen nga PDK-ja siç është rasti i Bedri Hamzës, janë modeli më i mirë i qeverisjes, janë kampionet zyrtarë të Kosovës në qeverisjen e mirë, në transparencë buxhetore financiare, në realizim të projekteve, në realizimin e projekteve kapitale edhe në përmirësimin e dukshëm jo vetëm të infrastrukturës që tashmë është evidente po edhe në ofrimin e shërbimeve shumë më efikase edhe ndihmës për të gjitha kategoritë e shoqërisë”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza ka thënë se qeveria Kurti përgjatë mandatit të saj nuk ka mbështetur realizimin e asnjë projekti në këtë komunë.

“Katër vjet qeverisje, një shirit të një projekti kapital në Mitrovicë mos me e pre si rezultat i financimit të nivelit qendror, nuk është mirë”, ka thënë Hamza.

Gjatë vizitës së tij në Komunën e Mitrovicës, kryetari Krasniqi ka përcjellë nga afër punimet për ndërtimin e Ambulantes së Mjekësisë Familjare në Koshtovë, ato në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në lagjen Shipol dhe në rrugën “Mbretëresha Teutë”, hapësirën ku po ndërtohet shëtitorja që lidh shëtitoren e qytetit dhe shëtitoren e Liqenit Akumulues, si dhe punimet e Ballkonit Panoramik të qytetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona vuan këtë sezon mungesën e vazhdimësisë së rezultateve teksa…