Krasniqi: Në vend që të merret me problemet e qytetarëve, qeveria Kurti ka zgjedhur të ndërtojë armiq imagjinarë
Ish-deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, ka kritikuar sjelljen e qeverinë Kurti.
Ai ka vlerësuar së në vend që të merret me problemet e qytetarëve kjo qeveri po merret me ndërtimin e armiqve imagjinar.
Krasniqi ka numëruar në “Facebook” dëmet që kjo qeveria ia ka sjell Kosovës.
“Jemi në vitin 2025, dhe megjithë sfidat e mëdha që ka vendi, pushteti vazhdon ta zhvendosë vëmendjen e opinionit nga realiteti, duke ushqyer propagandë dhe përçarje. Në vend që të merret me problemet e qytetarëve, kjo qeveri ka zgjedhur të ndërtojë armiq imagjinarë për të maskuar paaftësinë dhe dështimet e veta në çdo fushë. Kush i ka fajet që sot kemi probleme në shëndetësi e arsim, ngecje të zhvillimit ekonomik dhe mbi 250 mijë qytetarë të larguar nga vendi? Kush e ka mbajtur Kosovën të bllokuar për 10 muaj për arsye krejt personale, duke degraduar çdo institucion dhe duke shkelur Kushtetutën e ligjet? Fajtorët janë po ata që e kanë qeverisur vendin këto pesë vite dhe për dështimet e tyre duhet të mbeten përgjegjës”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka treguar se përgjegjësi kryesor që Kosova është në sanksione është qeveria Kurti.
“Kush është përgjegjës që sot jemi nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe me dialogun strategjik me ShBA-në të pezulluar? Edhe këtu, fajet nuk janë te armiqtë imagjinarë, por te kjo qeveri. Prandaj, është koha të mos biem më pre e propagandës. Është koha të kthehemi te programet, vizioni dhe politikat që ndërtojnë të ardhmen tonë, të jemi të bashkuar për vendin dhe të ardhmen tonë, e jo të përçarë për interesa të ngushta politike. Është koha të marrim përgjegjësinë dhe të vendosim për një Kosovë që ecën përpara. Është koha për një kryeministër që zgjidh problemet ekonomike e zhvillimore. Është koha për Bedri Hamzën, kryeministër”, ka shkruar Krasniqi.



