Krasniqi: Opozita nuk e ka seriozisht kërkesën për zgjedhje

17 tetor 2018 | 15:51

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur joserioze kërkesën e partive opozitare për zgjedhje të reja. Ai ka thënë se sa i përket kësaj opozite koalicioni qeverisës do ta çojë mandatin deri në fund.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka vlerësuar se kërkesa për zgjedhje ka të bëjë më shumë me problemet brenda partive të opozitës. Sidoqoftë, ai ka bërë me dije se as bojkoti opozitar në Kuvend nuk do të reflektojë në funksionimin e koalicionit qeverisës sepse, sipas Krasniqit, Qeveria është duke e bërë punën e vet dhe ka stabilitet.

Ai ka thënë se është papërgjegjësi e skajshme politike që cilido deputet i opozitës apo parti opozitare të abstenojë apo të refuzojë të marrë pjesë në çështjet që ndërlidhen me fazën finale të dialogut me Serbinë, integrimin evropian, zbatimin e MSA-së, liberalizimin e vizave dhe themelimin e ushtrisë

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, të martën është raportuar se MSA-ja ka arritur të zbatohet vetëm 12 për qind në nivelin qendror. Cilat mendoni se janë shkaqet e përqindjes së ulët të zbatimit së kësaj marrëveshje të rëndësishme?
Krasniqi: Edhe ne si Komision kemi shprehur shqetësimin tonë për mospërmbushjen në nivel të kënaqshëm të obligimeve që i ka Kosova karshi marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Kemi diskutuar me përfaqësuesit e Qeverisë për këtë dhe kemi marrë zotimin e tyre se në tremujorin e katërt të vitit 2018 për obligimet që varen drejtpërdrejt prej tyre dhe dikastereve qeveritare do të shtohet dinamika e punës në mënyrë që përqindja e realizimit të detyrave të jetë më e madhe. Nuk mund të them me saktësi se është përqindja e zbatimit 12, 25 apo 40 për qind, sepse ata që merren në baza ditore, me obligimet që dalin nga MSA-ja, mund të kenë informacione më të sakta. Mirëpo ka hapa të mjaftueshëm të cilët duhet të bëhen shpejt për të arritur nivele të pranueshme të realizimit të obligimeve tona për këtë marrëveshje.

“Epoka e re”: Çfarë do të bëni ju si komision dhe si deputet që të arrihet niveli i kënaqshëm i zbatimit të MSA-së?
Krasniqi: Kompetencat e komisionit, përkatësisht të delegacionit të Kuvendit të Kosovës në komisionin e përbashkët BE-Kosovë për MSA-në, janë të limituara. Sidoqoftë, bazuar edhe në një rezolutë të miratuar në Kuvendin e Kosovës në baza të rregullta, është kërkuar prej nesh që të komunikojmë me Qeverinë për të parë se në çfarë faze janë zbatimet dhe obligimet. Ne nuk mund t’i detyrojmë përfaqësuesit e Qeverisë që t’i kryejnë detyrat e tyre më shpejt sesa që ata janë duke i kryer. Kemi interes të përbashkët që të kryhen detyrat në një periudhë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Epoka e re”: Për këtë çështje shoqëria civile ka fajësuar edhe opozitën e cila nuk po merr pjesë në miratimin e projektligjeve që kanë të bëjnë me MSA-në.
Krasniqi: Për pjesën e miratimit të ligjeve të cilat janë në agjendën e Kuvendit të Kosovës dhe që një pjesë e tyre nuk kanë marrë miratimin e deputetëve për shkak të bojkotit të një pjese të opozitës, pa dyshim se përgjegjësia është e përbashkët. Opozita, përkatësisht LDK-ja dhe Vetëvendosja, kanë vendosur ta bëjnë një lojë të tillë politike por, siç u pa edhe gjatë kësaj jave, ata nuk mund të bllokojnë Kuvendin sepse Kuvendi do ta vazhdojë punën e vet. Nevojitet ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare me 2/3 e votave të deputetëve. Ata mund ta pengojnë siç e kanë penguar për muaj të tërë ratifikimin e disa marrëveshjeve me BE-në. Shpresoj se në pamundësi për ta penguar punën e Kuvendit, ata do t’i thërrasin mendjes dhe do të kthehen aty ku e kanë vendin, për çka i kanë obliguar qytetarët e Kosovës me votën e tyre, pra në Kuvendin e Kosovës në seanca, sepse në komisione marrin pjesë. Besoj se së shpejti do të kthehen në punimet e seancës dhe bojkoti i opozitës nuk do të zgjasë më shumë se deri të enjten.

“Epoka e re”: Pse mendoni se opozita do ta ndërpresë bojkotin?
Krasniqi: Sepse nuk kanë asnjë arsye që ta marrin pagën e deputetit dhe të mos e kryejnë punën e deputetit. Kjo është hipokrizi nëse do të vazhdonte për një periudhë më të gjatë sesa kaq. Qëllimi i tyre për ta bllokuar Kuvendin ka dështuar. Kuvendi po vazhdon punën, ka miratuar projektligje, raporte, ka bërë zgjedhjen e anëtarëve të bordeve ashtu siç parashihet me ligjet e caktuara. Puna e Kuvendit do të vazhdojë edhe të enjten në seancën e re. Kështu që, më mirë do të ishte që opozita të vijë dhe t’i ballafaqojmë argumentet për ato pika që nuk kemi pajtueshmëri, por edhe të japin mbështetje për ato pika që kemi pajtueshmëri.

“Epoka e re”: Rrjedhimisht nuk do të pengohen proceset nëpër të cilat po kalon vendi, siç janë dialogu, ushtria, liberalizimi?
Krasniqi: Për çështjet që janë me rëndësi nacionale besoj se përgjegjësia është e përbashkët, pavarësisht se përgjegjësia gjithmonë është më e madhe e koalicionit qeverisës dhe atyre që e kanë shumicën parlamentare. Kjo pa dyshim se është edhe përgjegjësi e opozitës. Çështjet që ndërlidhen me fazën finale të dialogut me Serbinë, integrimin evropian, zbatimin e MSA-së, liberalizimin e vizave, themelimin e ushtrisë dhe çështje të tjera janë papërgjegjësi të skajshme politike që cilido deputet i opozitës apo parti opozitare të abstenojë apo të refuzojë të marrë pjesë. Jo për arsye se këto procese bllokohen, por për arsye se obligimi ynë karshi qytetarëve për t’i realizuar këto ka qenë uniformë. Të gjitha këto parti që jemi të përfaqësuara në Kuvend kemi deklaruar se do të marrin përgjegjësi nëse na jepet mundësia. Puna jonë është në Kuvendin e Kosovës qoftë kur kemi pajtueshmëri, qoftë kur nuk kemi pajtueshmëri. Është e kuptueshme që në çaste të caktuara edhe bojkoti mund të jetë pjesë e veprimtarisë politike, por për çështje të rëndësisë nacionale nuk besoj se ka kurrfarë arsyetimi që të bojkotohet pjesëmarrja në seancat e Kuvendit. Këtu po flas për proceset që i përmenda më lart.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh situatën aktuale, sa ka gjasa të arrihet konsensusi për tema kombëtare, përkatësisht për dialogun me Serbinë?
Krasniqi: Nuk pres të kemi konsensus të plotë, sepse qëndrimi i Vetëvendosjes është refuzues në tërësi sa i përket procesit të dialogut. Në këtë kuadër konsensusi do të nënkuptonte pajtueshmërinë e të gjithëve. Por, shpresoj të arrihet një lloj pajtueshmëri e gjerë brenda skenës politike nga pozita dhe opozita për disa nga pikat kryesore të cilat duhet të jenë parime themelore dhe udhëzuese në procesin e dialogut me Serbinë. Në këtë kuadër ne si PDK jemi të vetmit që për një kohë disamujore kemi diskutuar dhe i kemi ftuar në takime partitë politike nga pozita dhe opozita, por edhe kemi dorëzuar një draftplatformë konkrete me çështjet për të cilat duhet të arrijmë një pajtueshmëri para se të marrë dinamikë procesi i fazës finale të dialogut me Serbinë. Kjo draftplatformë parasheh që nga parimet themeltare deri te vijat e kuqe të cilat ndërlidhën me pacenueshmerinë e sovranitet, shtetësisë, integritetit territorial, me papranueshmërinë e krijimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive dhe pikat e tjera që janë të panegociueshme për Kosovën. Deri tash kemi pasur një pozicion refuzues nga LDK-ja dhe Vetëvendosja derisa PSD-ja ka propozuar një draftrezolutë në Kuvend për të cilën kam thënë, edhe gjatë seancave, se mund të jetë një bazë për të diskutuar, për të plotësuar dhe për ta bërë ndoshta një rezolutë të përbashkët të Kuvendit që do të ishte një udhëzues konkret për formën se si duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, si e komentoni funksionimin e mëtutjeshëm të koalicionit qeverisës? Do të jetë sfidues vazhdimi i kësaj Qeverie me këta numra dhe me bojkotin opozitar?
Krasniqi: Nuk shoh asnjë lloj problemi nga bojkoti i LDK-së dhe Vetëvendosjes sepse puna në Kuvend po vazhdon dhe ligjet po miratohen. Por këtë bojkot e shoh si cenim të debatit demokratik sepse Kuvendi ekziston për t’i ballafaquar argumentet, për t’i ballafaquar qëndrimet që mund të mos jenë të njëjta dhe për të dhënë alternativa qoftë nga pozita, qoftë nga opozita. Në këtë legjislaturë ka pasur shumë raste ku edhe iniciativat e opozitës kanë marrë mbështetjen e koalicionit qeverisës. Nuk ka një ndarje kirurgjike ndërmjet qëndrimeve të pozitës dhe opozitës. Ka shumë çështje ku ne kemi pika të përbashkëta dhe Kuvendi do të duhej të ishte arena e diskutimeve dhe e kompromiseve. Në këtë kuadër kjo nuk do të reflektojë te funksionimi i koalicionit qeverisës sepse Qeveria është duke e bërë punën e vet, ka stabilitetit dhe sa i përket kësaj opozite, Qeveri do ta përfundojë mandatin e vet.

“Epoka e re”: Por kjo opozitë po insiston në zgjedhje, madje ka paralajmëruar edhe rrëzimin e Qeverisë.
Krasniqi: Sa i përket kësaj opozite, Qeveria do ta çojë mandatin deri në fund. Diskutimet dhe kërkesat për zgjedhje janë legjitime, por opozita absolutisht nuk e ka seriozisht kërkesën për zgjedhje. Asnjë prej partive opozitare nuk janë të gatshme për zgjedhje. Sikur të kërkoheshin zgjedhjet me të vërtetë askush nuk i ndalon që ta nisin mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë dhe për këtë u duhen vetëm 40 vota. Por, ata nuk e kanë guximin ta bëjnë një gjë të tillë. Në fakt, LDK-ja dhe Vetëvendosja, që flasin më së shumti për këtë punë, asnjë nënshkrim nuk e kanë dhënë për këtë iniciativë, kurse PSD-ja u ka ofruar publikisht në seancë 12 nënshkrime për rrëzimin e qeverisë. Kjo është një lojë politike e cila po bëhet për pozicionime edhe brenda partive sepse kanë probleme të brendshme partitë opozitare, veçanërisht LDK-ja, me konkurrencën e brendshme për pozitën e kryetarit në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është çështje e tyre e brendshme por, nëse vërtet dëshirojnë zgjedhje, le të urdhërojnë dhe të tregojnë që e kanë seriozisht, duke e iniciuar mocionin e mosbesimit, pastaj do të shohim nëse është e vërtetë apo një manipulim i opinionit publik.

Shqipe HETEMI 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka pritur në takim ministrin…