
Krasniqi për Avni Deharin: Do të duhej të kërkonte falje, më mirë të tërhiqet nga kryesimi i seancës konstituive
Analisti Albert Krasniqi, ka komentuar seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovë për të cilën ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari do të duhej të kërkonte falje për veprimet antikushtetuese.
Ai ka thënë se gjithashtu Dehari do të duhej të tërhiqej nga kryesimi i seancës.
“Avni Dehari, të paktën, do të duhej ta kishte hapur seancën e djeshme me një kërkim falje ndaj deputetëve për veprimet e tij kundërkushtetuese. Sa herë që deputetët i rikujtonin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ai me arrogancë kërkonte nga regjia t’ua ndalte mikrofonin. Më e natyrshmja do të ishte që ai të tërhiqej krejtësisht nga kryesimi i seancës konstituive. Imponoi në mënyrë arbitrare një opsion kundërkushtetues. Injoroi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se një muaj. Dëshmoi se nuk është në gjendje të veprojë i pavarur nga diktati partiak. Një kryesues i seancës konstituive duhet të mbrojë rendin kushtetues dhe dinjitetin e Kuvendit, jo ta cenojë atë”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.