Krasniqi: Presidentja tashmë është pjesë e fushatës zgjedhore, fajëson opozitën për bllokimin e buxhetit

24 nëntor 2025 | 20:36

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka thënë se presidentja Vjosa Osmani po shfaq përfshirje të hapur në procesin zgjedhor, duke cenuar seriozisht rendin kushtetues.

“Presidentja e vendit, e cila sipas Kushtetutës është garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve, po shfaq përfshirje të hapur në procesin zgjedhor, duke cenuar seriozisht rendin kushtetues.”

Ai ka thënë se Osmani ka ushtruar “presion të drejtpërdrejt” për vendimmarrje politike ndaj Gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim me parimet e pavarësisë së gjyqësorit.

“Fillimisht, ajo ushtroi presion të drejtpërdrejtë për vendimmarrje politike ndaj Gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim me parimet e pavarësisë së gjyqësorit – veprim që çoi deri te pezullimi i nisjes së dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky zhvillim dëshmoi qartë se institucionet tona po humbin besueshmërinë te partnerët ndërkombëtarë.”

Krasniqi ka shtuar se Osmani ka ndërhyrë edhe përmes letrave drejtuar Kryetarit të Kuvendit për formimin e komisioneve parlamentare.

“Më pas, Presidentja ndërhyri në rendin kushtetues të themelimit të institucioneve përmes letrave drejtuar Kryetarit të Kuvendit për formimin e komisioneve parlamentare – një praktikë e paprecedentë që synonte të mbështeste narrativat e partisë në pushtet dhe të ndikonte procesin politik përtej kompetencave të saj.”

Sipas tij, Osmani tash është shfaqur haptazi në fushatë zgjedhore duke fajësuar opozitën për bllokimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Tani, ajo është shfaqur haptazi në fushatë zgjedhore duke fajësuar opozitën për bllokimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Në fakt, kjo përbënte një thirrje të kamufluar për pajtueshmëri kolektive për shkeljen e Kushtetutës, duke zhvendosur fajin nga ata që e prodhuan krizën tek ata që refuzuan ta legjitimonin atë.”

Krasniqi ka thënë se presidentja duhet të përmbahet nga çdo ndërhyrje në proceset zgjedhore dhe të përqendrohet në detyrimet e saj kushtetuese.

“Presidentja duhet të përmbahet nga çdo ndërhyrje në proceset zgjedhore dhe të përqendrohet në detyrimet e saj kushtetuese për muajt e mbetur të mandatit. Institucionet e shtetit nuk janë instrumente të fushatës politike – veçanërisht kur në krye të tyre qëndron figura që duhet t’i garantojë ato.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit, ka shpërndarë fotografinë që ka…