
Krasniqi: Pushteti i ‘veteranit’ të rrejshëm të Albin Kurtit, sot tregoi fytyrën e vërtetë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me trajtimin e veteranëve në protestën e sotme dhe votimin pro Ligjit diskriminues për përcaktimin e pagës minimale.
“Pushteti i Vetëvendosjes i udhëhequr nga ‘veterani’ i rrejshëm Albin Kurti, sot tregoi fytyrën e vërtetë me përbuzjen publike që u bëri luftëtarëve të lirisë. Ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës dhe trajtimi i padinjiteshëm i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga pushteti i Albin Kurtit, ishin pamje që asnjë qytetar i Kosovës nuk do të donte e as nuk do të duhej t’i përjetonte”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se kjo fyerje e ky diskriminim ndaj veteranëve të vërtetë, edhe përmes iniciativa ligjore, ku kryeministri i Kosovës i trajton luftëtarët e lirisë – kategorinë më meritore për lirinë tonë – si qytetarë të rendit të dytë, është i papranueshëm dhe i pafalshëm.
“Albin Kurti dhe shërbëtorët e tij të verbër duhet ta dinë që mbi guximin dhe sakrificën e këtyre veteranëve, ne kemi ndërtuar shtet e institucione, në të cilat ata sot janë strukur e po orkestrojnë politika diskriminuese ndaj tyre. Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës, me çdo mjet demokratik do të mbështesë të drejtat e veteranëve dhe nuk do të lejojë përbuzjen e çlirimtarëve tanë në këtë mënyrë”, ka deklaruar Krasniqi.