
Krasniqi reagon ndaj vendimit të Kurtit: Panik nga humbja që e pret të dielën, studentët t’i marrin ato mjete dhe ta ndëshkojnë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka reaguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti për ndarjen e 100 eurove për studentë.
Ai ka thënë se Kurti “i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën”.
Sipas Krasniqit, ky veprim i Kurtit nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote.
Ai ka shtuar se studentët as nuk blihen as nuk shiten.
“Kryeministri në largim, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën. Pas katër vitesh dështimesh në qeverisje dhe degradimi të sistemit arsimor, ai sot vendosi të ndajë 26 milionë euro, nga 100 euro për student, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote. Megjithatë, ky është një tjetër gjykim i gabuar për studentët kosovarë, sepse ata as nuk blihen e as nuk shiten. Unë i ftoj studentët që t’i marrin ato mjete, që janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën e tyre për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.