Krasniqi sfidon publikisht VV-në: Asnjë kandidat i Vetëvendosjes nuk po guxon të dalë në debat me mua
Kandidati i Aleancës për deputet, Dardan Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se asnjë kandidat i kësaj partie nuk po pranon të përballet me të në debate publike gjatë kësaj fushate zgjedhore.
Përmes një reagimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se e ka të konfirmuar se kandidatët e Vetëvendosjes po shmangin debatet me të, duke ngritur pyetjen se pse, sipas tij, nuk po guxojnë të ballafaqohen publikisht.
“Po e kam të konfirmuar, asnjë nga kandidatët e Vetëvendosjes nuk pranon më të dalë në debat me mua”, ka shkruar ai, duke shtuar se ish-bashkëpunëtorët e tij politikë “e dinë rrugën që kemi bërë bashkë dhe që sot e lanë rrugëve pa rrugë”.
Krasniqi ka akuzuar Vetëvendosjen për nënshtrim ndaj pushtetit, dështim në qeverisje dhe mungesë të projekteve konkrete, duke pretenduar se qeverisja e tyre nuk ka sjellë rezultate të prekshme për qytetarët.
Ai ka përmendur gjithashtu raste që, sipas tij, mbeten pa drejtësi dhe ka akuzuar pushtetin për rritje të korrupsionit, keqpërdorime dhe humbje të shpresës tek qytetarët.
Në reagimin e tij, kandidati i Aleancës ka kritikuar edhe qasjen politike të Vetëvendosjes ndaj shqiptarëve në rajon, duke thënë se partia në pushtet ka kontribuar në përçarje dhe nuk është e gatshme të përballet me kritikat.
“Vetëvendosje, e dini që i njoh nga koha e gurit deri te pasuli i vjedhur i FSK-së. Ata në mua e shohin versionin e tyre që nuk tradhtoi atë për të cilën u angazhua. Prandaj ikin, prandaj do të humbin”, ka deklaruar Krasniqi.
Në fund të reagimit të tij, ai ka theksuar mesazhin politik të Aleancës, duke përfunduar me sloganin: “Aleanca jemi ne!”.



