Krasniqi: Të tjerë në LV kanë pasur ambicie për karrigen e kryeparlamentarit, por duket se Haxhiu për Kurtin është më e rëndësishme sesa krejt ata

29 maj 2025 | 12:18

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje s’po bën “asnjë veprim” që do ta nxirrte Kosovën nga “situata e rëndë”, duke insistuar në propozimin e Albulena Haxhiut pavarësisht se, siç ka bërë me dije ka pasur të tjerë në LV që kanë pasur ambicie për t’u ulur në karrigen e kryetarit të Kuvendit.

Krasniqi ka thënë se bllokada po vazhdon edhe mbi tre muaj e gjysmë pas zgjedhjeve për shkak të kryeneçësisë politike të Albin Kurtit.

“Kanë kaluar një muaj e gjysmë prej kur ka filluar tentimi për ta konstituuar Kuvendin dhe mbi tre muaj e gjysmë prej kur janë mbajtur zgjedhjet, fatkeqësisht bllokada e iniciuar dhe e mundësuar nga Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon në Kuvendin e Kosovës. Ne as sot s’kemi institucione dhe duket që s’ka as interesim e asnjë veprim që do ta nxirrte Kosovën nga situata e rëndë në të cilën kjo kryeneçësi politike e z. Kurti dhe partisë Vetëvendosje e ka futur vendin tonë. Vërtetë është për keqardhje që s’ka asnjë reflektim”, ka thënë Krasniqi.

Më tutje, Krasniqi i ka bërë thirrje LV-së që “të ketë racionalitet politik, që të vendoset interesi i qytetarëve në radhë të parë”.

Krasniqi ka përsëritur qëndrimin e më hershëm se PDK-ja “nuk e voton asnjë prej deputetëve që kanë qenë anëtarë të qeverisë Kurti”, ndërsa për propozimet e tjera “mbetet të shihet”.

“Le të vjen. Besoj që mjaftueshëm i ka mashtruar deri tash zoti Kurti, sepse ka pasur aty edhe të tjerë që kanë shfaqë ambicie me qenë kryetar apo kryetare, por duket që Albulena Haxhiu është më e rëndësishme se krejt të tjerët bashkë”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arbër Hoxha mund të transferohet te Kayserispor gjatë merkatos së…