Krasniqi: Thirrjet “vdekje për shqiptarët” në Maqedoninë e Veriut janë të rënda e të papranueshme

04 gusht 2025 | 14:00

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se thirrjet “vdekje për shqiptarët” e “dhoma gazi për shqiptarët”, të bëra në një palestër sportive në Maqedoninë e Veriut, në prani të kryeministrit Mickoski dhe delegacionit qeveritar, janë të rënda e të papranueshme dhe dëmtojnë bashkëjetesën në këtë shtet dhe përtej tij.

“Shqiptarët janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe partnerë vendimtar në rrugën euroatlantike. Gjuha e urrejtjes ndaj tyre nuk është vetëm e rrezikshme, por edhe thellësisht kundër vlerave demokratike e europiane që duhet t’i bashkojnë popujt tanë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka përgjegjësi të distancohet qartë nga çdo akt ekstremist, sepse heshtja konsiderohet miratim.

“Ashtu si një tjetër heshtje që po bëhet gjithnjë e më zhurmshme: ajo e Kryeministrit në ikje të Kosovës, që si kumbara i kësaj qeverie në Shkup, mban përgjegjësi morale dhe politike për këtë klimë anti-shqiptare që po thellohet dita-ditës. Dinjiteti dhe mirëqenia e çdo komuniteti nuk janë të negociueshme. Heshtja përballë gjuhës fashiste është qëndrim – andej dhe këndej kufirit! Shqiptarët kanë bërë shumë për këtë shtet, dhe nuk do të lejojnë askënd t’i nëpërkëmbë më”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,…