
Krasniqi uron fillimin e vitit të ri shkollor: Arsimi, shtylla kryesore e zhvillimit të Kosovës
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar të gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Përmes një postimi në “Facebook”, Krasniqi thotë se për shoqërinë kosovare, arsimi është shtylla kryesore e zhvillimit të vendit.
Sipas tij, investimi më i madh që mund të bëhet është ai në dije, pasi sipas tij, aty fillon çdo e ardhme më e mirë për vendin.
“Sot, mijëra nxënës kthehen në bankat e shkollës, e shumë prej tyre fillojnë për herë të parë këtë rrugëtim, me ëndrra të mëdha dhe me shpresën për një të ardhme më të mirë. Në këtë ditë të veçantë, dua t’i uroj me gjithë zemër nxënësit që të mësojnë me pasion dhe ta shohin dijen si çelës të së ardhmes; mësimdhënësit që me përkushtimin e tyre ndërtojnë themelet e një shoqërie më të mirë; prindërit, sakrificat dhe dashuria e të cilëve janë garanci për suksesin e fëmijëve”.
“Për ne si shoqëri, arsimi është shtylla kryesore e zhvillimit të Kosovës. Investimi më i madh që mund të bëjmë është ai në dije, në rini dhe në shkollën tonë, sepse aty fillon çdo e ardhme më e mirë për vendin. Urime fillimi i vitit të ri shkollor 2025/26!”, ka shkruar Krasniqi.