Kremlini thotë se avioni i Prigozhinit mund të jetë rrëzuar qëllimisht

30 gusht 2023 | 15:17

Kremlini ka thënë të mërkurën se hetuesit janë duke e konsideruar mundësinë që avioni, i cili po e barte shefin mercenar Yevgeny Prigozhin, të jetë rrëzuar qëllimisht.

Kjo është hera e parë që Rusia e pranon në mënyrë kaq të qartë se ka mundësi që Prigozhini është vrarë qëllimisht.

“Është e qartë se po konsiderohen versione të ndryshme, përfshirë versionin – ju e dini se për çfarë e kam fjalën – të themi, një ligësi e qëllimshme”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov më 30 gusht kur u pyet për hetimin.

I pyetur nëse Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil do ta hetojë rrëzimin e avionit, Peskov  ka thënë se rrethanat e bëjnë hetimin të dallojë, megjithëse e ka pranuar se hetuesit ende nuk kanë ardhur në përfundim formal se çfarë e ka shkaktuar saktësisht rrëzimin e tij.

“Të presim për rezultatet e hetimit rus”, ka thënë Peskov.

Avioni privat “Embraer”, me të cilin po udhëtonte Prigozhini nga Shën Peterburgut drejt Moskës është rrëzuar në veri të kryeqytetit rus duke i vrarë të gjithë 10 personat në bord më 23 gusht.

Shkaktari nuk është gjetur ende, por fshatarët afër vendit të ngjarjes kanë thënë për “Reuters” se e kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe pastaj e kishin parë avionin duke rënë në tokë.

Avioni është  rrëzuar saktësisht dy muaj pasi Prigozhini e kishte marrë kontrollin e qytetit jugor të Rusisë, Rostov, në fund të qershorit, duke e nisur një kryengritje që e tronditi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Rusia i ka njoftuar autoritetet braziliane se nuk do ta hetojë rrëzimin e avionit e prodhuar në Brazil, “Embraer”, sipas rregullave ndërkombëtare “tani për tani”.

I pyetur për këtë, Peskov ka thënë: “Së pari, hetimi ka nisur, Komisioni Hetues është i angazhuar në këtë”.

“Në këtë rast, nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë aspekt ndërkombëtar”, ka thënë Peskov.

Një ditë pas rrëzimit të avionit, Putini u ka shprehur ngushëllime familjeve të të vrarëve dhe ka thënë se e kishte njohur Prigozhinin për një kohë shumë të gjatë, që nga fillimi i viteve të ’90.

“Ai (Prigozhin) ishte njeri me fat të keq, dhe ai bëri gabime serioze në jetë”, ka thënë Putini, derisa e ka përshkruar atë si biznesmen të talentuar.

Kremlini i ka hedhur poshtë sugjerimet e disa politikanëve dhe komentatorëve të Perëndimit se Putini e kishte urdhëruar vrasjen e Prigozhinit për hakmarrje, duke i quajtur ato “gënjeshtër absolute”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se nuk ishte habitur nga vdekja e Prigozhinit dhe se ka pak gjëra në Rusi pas të cilave nuk qëndron Putini. /Rel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka kërkuar takim me kryeministrin…