Krerët e shtetit në përvjetorin e policisë

07 shtator 2025 | 08:08

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, morën pjesë në ceremoninë qendrore të 26-vjetorit të Policisë së Kosovës, e cila u mbajt në Drejtorinë e Përgjithshme në Prishtinë.

Kosova e ka vendin në Interpol, kështu deklaroi presidentja Vjosa Osmani në ceremoninë kryesore për shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Osmani ka thënë se historia e Policisë së Kosovës është histori e përkushtimit dhe përballjes me sfida. Ajo e ka vlerësuar Policinë si shtyllë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“‘Polici i shërben vendit edhe kur vetë përballet me rrezikun’. Kjo frazë e njohur e përshkruan më së miri misionin fisnik, sakrificën dhe besnikërinë ndaj atdheut nga secili prej jush. Sot në 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ne kremtojmë historinë e Policisë së Kosovës, e cila është histori e kurajës, përkushtimit dhe përballjes me sfidat në për të cilat ka kaluar dhe kalon çdo ditë shteti i ynë. Policia e Kosovës është ndër shtyllat më të forta, të sovranitetit dhe integriteti tonë territorial”, ka thënë ajo, transmeton EkonomiaOnline. “Nga ditët e para të themelimit deri më sot keni dëshmuar se nuk ka rrethanë, nuk ka krizë dhe nuk ka kërcënim që mund ta lëkund besimin tuaj ndaj Republikës. Sidomos, gjatë viteve të fundit, në periudha të ndjeshme, veçanërisht në veri të vendit, ju keni treguar profesionalizëm, guxim dhe duke garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim. Për këtë arsye mbetet domosdoshmëri që Kosova të anëtarësohet në Interpol dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Sepse aty e ka vendin Policia jonë, në mesin e policive profesionale që mbrojnë paqen, rendin dhe sigurinë kudo në botë”.

E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se dita e sotme është dëshmi e rrugëtimit të Kosovës si shtet mbi shumë sfida.

“Sot shënojmë 26 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, institucionit më të besueshëm në Republikën tonë, së bashku me FSK-në, ushtrinë tonë. Ky përvjetor nuk është thjesht shënim i një date, por është dëshmi e rrugës sonë të përbashkët si shtet dhe si shoqëri. Mbi shumë sfida e duke shënuar plot arritje ka qëndruar Policia e Kosovës me besnikërinë e saj, qytetarëve dhe Republikës”, ka theksuar Kurti.

Gazmend Hoxha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka thënë se institucioni që ai drejton është bërë simbol i besimit dhe shpresës për ndërtimin e shtetit.

“Ky zhvillim dhe avancim është rezultat i përkrahjes së vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, institucioneve tjera vendore e akterëve ndërkombëtarë për çka ne u jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka thënë Hoxha.

Poashtu edhe kryekuvendari i Kosovës, Dimal Basha tha se Policisë së Kosovës i është njohur profesionalizmi i dalluar edhe nga organizatat dhe partnerët tanë ndërkombëtare.

“Policia e Kosovës, përveç se është garantuese e qetësisë sonë të përditshme, ajo është bërë edhe simbol i shtetit tonë të pavarur, dhe krejt kjo përmes punës së pandalshme dhe operacioneve efikase duke shkatërruar bandat kriminale si në jug, po ashtu edhe në veri të vendit. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, shpreh mirënjohjen më të thellë dhe respektin më të madh për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për përkushtimin, sakrificën dhe guximin e tyre të përditshëm”, shkroi Basha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të…