Krimet e luftës në Kosovë: Krimineli kthehet në Beograd, Serbia e quan hero

29 shtator 2025 | 20:17

“Hero që luftoi për Serbinë”, e jo kriminel lufte.

Kështu e kanë përshkruar autoritetet në Serbi gjeneralin Nebojsha Pavkoviq, i cili mbërriti në Beograd me avion qeveritar pas lirimit të parakohshëm nga burgu për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Nga instancat më të larta shtetërore u dërgua ky mesazh për publikun, por nuk u përmendën krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, për të cilat ai është dënuar.

“Mendoj se ky nuk është mesazhi që duhet ta dërgojë udhëheqja shtetërore e Serbisë. Në këtë mënyrë nuk ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha për Radion Evropa e Lirë, Sofija Todoroviq nga nisma joqeveritare Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

Pavkoviq, ish-komandant i Ushtrisë së Tretë të Jugosllavisë, është dënuar me vendim të formës së prerë me 22 vjet burgim, për krime kundër shqiptarëve në Kosovë më 1999. Lajmin për lirimin e tij të parakohshëm e bëri publik presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 shtator nga Nju Jorku, ku po merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ai iu tha gazetarëve se Qeveria e Serbisë kishte paraqitur kërkesën për lirimin e Pavkoviqit me kërkesë të tij, për shkak të “gjendjes jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore”.

“Dhe pastaj mund të shkojmë ta marrim gjeneralin Pavkoviq, që ta shohë diellin e Serbisë së lirë, për të cilën aq shumë u përpoq, heroikisht në vitin 1999”, deklaroi Vuçiq.

Armët ukrainase, të afta të arrijnë çdo objektiv ushtarak në Rusi – thotë ministri i Jashtëm Sybiha

Pas uljes në aeroportin e Beogradit, Pavkoviq u transferua në Akademinë Ushtarako-Mjekësore.

Sofija Todoroviq nga YIHR tha se lirimi i parakohshëm për arsye shëndetësore nuk është procedurë e pazakontë dhe se është në përputhje me të drejtat e njeriut.

Megjithatë, ajo shtoi se problematike është mënyra se si zyrtarët e një shteti i trajtojnë njerëzit e dënuar për shkelje masive të të drejtave të njeriut.

“Dhe mënyra se si kthimin e tyre në vend e shfrytëzojnë për të propaganduar politika të dëmshme, të cilat kanë treguar se nuk i afrojnë shoqëritë në rajon”, tha ajo.

Në vitin 2009, Pavkoviq u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës dhe u dënua për deportime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutime të civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë gjysmës së parë të vitit 1999.

Vendimi i shkallës së parë u konfirmua në vitin 2014.

Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-nënkryetari i Qeverisë së RFJ-së, Nikolla Shainoviq.

I akuzuari i parë, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.

Çfarë thotë gjykata?

Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale në Hagë, trashëgimtar i Tribunalit të Hagës, në vendimin e tij ka theksuar se ekzistojnë “arsye bindëse humanitare” për lirimin e parakohshëm të Pavkoviqit, me disa kushte të caktuara.

Vendimi bazohet në pesë raporte mjekësore, të cilat përmbajnë të dhëna mbi gjendjen shëndetësore të Pavkoviqit, përfshirë diagnozat, prognozat dhe opsionet e trajtimit.

Në vendim përcaktohet se deri në përfundim të dënimit, Pavkoviqi duhet t’i respektojë disa kushte: të mos ketë kontakte me mediat, të mos paraqitet publikisht dhe të mos angazhohet politikisht.

Sipas dispozitave të marrëveshjes, Pavkoviq nuk lejohet as të japë deklarata “me të cilat mohohen krimet që janë në juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, respektivisht të Mekanizmit, dhe që janë kryer gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi”, as të shprehë publikisht, drejtpërdrejt ose tërthorazi, mbështetje apo t’i lavdërojë të dënuarit e tjerë të Hagës.

Mbrojtja e tij kishte paraqitur në mes të gushtit një kërkesë urgjente për lirimin e parakohshëm, duke theksuar se atij duhet t’i mundësohet të kalojë pjesën e mbetur të jetës pranë familjarëve që mund t’i ofrojnë kujdesin e nevojshëm.

“Shëndeti fizik i Pavkoviqit deri në këtë moment është përkeqësuar aq shumë, sa paraqet rrezik për jetën”, thuhet në dokument.

Gjendja shëndetësore e të dënuarit merret parasysh gjatë vendimmarrjes për lirimin e parakohshëm.

Mbrojtja kishte kërkuar lirimin edhe pasi Pavkoviqi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit, por në vitin 2022 kjo kërkesë ishte refuzuar, me arsyetimin për “rëndësinë e madhe të krimeve të tij dhe mungesën e rehabilitimit”.

Çfarë thonë në Kosovë?

Nga Qeveria dhe Presidenca e Kosovës, deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me lirimin e Nebojsha Pavkoviqit.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë se familjet e viktimave nuk do ta pranojnë vendimin e Tribunalit të Hagës, ashtu siç nuk kanë qenë të kënaqura as me gjatësinë e dënimit.

“Ne jemi kundër standardeve të dyfishta. Çdokush që shpallet fajtor për krime lufte, pavarësisht përkatësisë kombëtare ose fetare, duhet të marrë një dënim të merituar. Edhe gjatë lirimeve të përkohshme duhet të zbatohen e respektohen të njëjtat parime”, tha ai.

Shala shtoi se një numër i të dënuarve për krime lufte kanë pritur pleqërinë e thellë në burg ose kanë vdekur atje, prandaj “nuk duhet të ketë standarde të dyfishta”.

Ai është i bindur se angazhimi i shtetit të Serbisë nuk ka ndikuar në vendimin e gjykatës dhe se arsyetimin përfundimtar mund ta japë vetëm Tribunali i Hagës.

Qëndrimi i pushtetit ndaj krimeve në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në dhjetor të vitit 2021 deklaroi se krime lufte janë kryer nga të dyja palët dhe se për këtë “nuk ka dyshim”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve shqiptarë në Tiranë, ai tha se kriminelët e luftës duhet të gjykohen dhe ndëshkohen, por sipas tij “gjërat nuk mund të shihen njëanshëm”.

“Kur ju thoni ‘ju serbët keni kryer disa krime’, atëherë edhe unë mund të përmend dhjetëra krime që ka kryer e ashtuquajtura UÇK kundër civilëve serbë në Kosovë, për të cilat ju nuk flisni”, tha Vuçiq.

Ai e quajti Masakrën e Reçakut – kur forcat serbe ekzekutuan 45 civilë shqiptarë më 15 janar 1999 – një “krim të fabrikuar”.

Jovana Kollariq nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha për Radion Evropa e Lirë se Partia Progresive Serbe (SNS), që nga ardhja në pushtet më 2012, ka ndërtuar legjitimitetin e saj mbi një qasje revizioniste ndaj së kaluarës.

“Dhe mbi krijimin e një narrative, siç e definonte Aleksandar Vulin, se ‘ka kaluar koha e turpit dhe ka ardhur koha e krenarisë së qetë’. Por ajo krenari nuk është aspak e qetë, ajo përbëhet nga mohimi i krimeve të luftës dhe mohimi i fakteve të vërtetuara nga gjykatat”, shtoi ajo.

Kollariq theksoi se ka pasur periudha kur në Serbi është krijuar hapësirë, të paktën pjesërisht, për të folur mbi atë çfarë ka ndodhur dhe kur mohimi nuk vinte aq hapur nga instancat më të larta të shtetit.

Ajo solli si shembull ekspozitën e vitit 2013 në Beograd, që trajtonte krimin e kryer nga formacioni paramilitar “Shqiponjat” ndaj familjes Bogujevci në Podujevë, në vitin 1999.

Vizitorët në ekspozitë u udhëhoqën nga tre anëtarë të familjes, të mbijetuar nga masakra, ndërsa mori pjesë edhe atëherë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq. Policia largoi rreth 50 persona që protestonin jashtë galerisë.

Ndërkohë, përpara Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë po gjykohen edhe ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë luftës në Kosovë u vranë ose u zhdukën rreth 13.000 persona, ndërsa ende vazhdon kërkimi për gati 1.600 të tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar qyyetarët lidhur me…