
Krimet Ekonomike dhe ATK inspekojnë parkingjet në Prizren
Me datën 08.08.2025, Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale në Prizren, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me asistimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar një aksion inspektimi në njëzet e një (21) auto parkingje në qytetin e Prizrenit.
Aksioni kishte për qëllim parandalimin dhe hetimin e veprës penale “Shmangie nga tatimi”.
Gjatë inspektimeve janë evidentuar këto shkelje:
Në të gjitha parkingjet e kontrolluara nuk janë lëshuar kuponë fiskal;
Janë identifikuar 9 punëtorë të paregjistruar;
5 parkingje nuk posedonin arka fiskale;
2 biznese të paregjistruara;
2 biznese pa kontrata qiraje.
Për secilin rast, inspektorët e Administratës Tatimore do të ndërmarrin veprimet procedurale sipas kompetencës, ndërsa Policia e Kosovës do të vazhdojë procedurat ligjore për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale në fushën e krimeve ekonomike dhe nxit të gjithë qytetarët të respektojnë ligjin, duke kontribuar në një ambient të drejtë dhe të ligjshëm për të gjithë.