Krimi i gj*nocidit në burgun e Dubravës dhe propaganda serbe

21 maj 2025 | 20:49

Duke parë se 26 vjet pas krimit të gjenocidit në Burgun e Dubravës vazhdon të qarkullojë interpretimi serb i asaj ngjarjeje, interpretim që kishte për qëllim të hidhte përgjegjësinë te NATO, e shohim të rëndësishëm të rikujtojmë disa nga ngjarjet që mund të ndihmojnë në ndriçimin e asaj që vërtet ka ndodhur:

1. Gjatë javës së fundit të muajt prill 1999 dhe dy javëve të para të muajit maj 1999, në Burgun e Dubravës u bë grumbullimi i pengjeve shqiptare nga disa burgje serbe ku ishin mbajtur deri atëherë.

Përzgjedhja, transferimi dhe sistematizimi i tyre në pavijonet e Burgut të Dubravës u bë në funksion të kryerjes së një nga krimet më të shëmtuara në kuadër të zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë: vrasjen masive të pengjeve të luftës!

Më datë 19 maj 1999 aeroplanët e NATO-s bombarduan caqet ushtarako-policore serbe që ndodheshin jashtë mureve të burgut të Dubravës. Pas tërheqjes së tyre, aviacioni jugosllav sulmoi pavijonet e stërmbushura me shqiptarë, me ç’rast u vranë Enver Topalli, Abdullah Tahiri dhe Gjokë Ndrecaj, ndërsa u plagosën 19 të tjerë.

Në përputhje me strategjinë për fshehjen e gjurmëve të krimit të gjenocidit, propaganda gebelsiane në krye me ministrin e atëhershëm të informatave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, krimet e aviacionit jugosllav ia atribuoi NATO-s.

2. Më 21 maj 1999 Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, z. Kenneth H. Bacon, mbajti një konferencë me gazetarë dhe me argumente të pakontestueshme të video-incizimeve, dëshmoi se aeroplanët e NATO-s kishin bombarduar caqet ushtarako-policore serbe, e jo pavijonet ku kishin qenë të burgosurit shqiptarë.

Për të ndjekur konferencën me gazetarë, në pjesën ku flitet për goditjet jashtë mureve të burgut: https://youtu.be/CvIxtHpWQTY?si=OPjONmjgB8AzWdp1&t=2772

Lokacioni ku kanë goditur forcat e NATO’s në Google Maps: https://maps.app.goo.gl/F2XS1jmn8nx5rGNc6

3. Përkundër përgënjeshtrimeve që u bënë, propaganda e Aleksandar Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit vazhdoi me intensitetit të shtuar deri më 24 maj, kur përfundoi njëri nga krimet më makabre të gjenocidit në Kosovë. Gjatë gjenocidit në Burgun e Dubravës, forcat serbe vranë 117 të burgosur shqiptarë dhe plagosën mbi 400 të tjerë, 100 prej të cilëve ishin në gjendje tejet të rëndë.

4. Fatkeqësisht 26 vjet pas këtij krimi, ka ende njerëz që kanë ra në pre të propagandës serbe, nën pretekstin se gjoja gjatë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, aviacioni serb nuk ka mundur të kryej aksione! Pikërisht për këtë arsye, më poshtë po sjellim disa shembuj domethënës që argumentojnë se që nga dita e parë e kësaj ndërhyrjeje dhe deri në përfundim të luftës, aviacioni serb ka qenë aktiv në përputhje me rrethanat që ishin krijuar:

a) Lexuesit i sugjeroj të lexoj shkrimin “Një histori e dëshmi e Trulsit, pilotit ushtarak norvegjez i NATO-së”, të botuar në “Epoka e re” më 27 mars 2025, ose të shkojë në Tërpezë të Malishevës, në Shkollën “Hasan Prishtina” të shohin mbetjet e aeroplanit serb të rrëzuar nga piloti norvegjez;

b) Gjashtë ditë përpara se të bombardonin Burgun e Dubravës, aviacioni luftarak serb kreu sulme edhe në territorin e Shqipërisë. Po jo sjell shkrimin e plotë të gazetës franceze “Libération” të datës 13 maj 1999.


(Përkthimi i artikullit nga unë)

“LUFTA NË KOSOVË: Një avion serb u neutralizua në Shqipëri. Një aeroplan luftarak që bombardonte një kamp të UÇK-së u rrëzua.

Marie-Laure COLSON

Shkrim i publikuar më 13 maj 1999

Kukës, i dërguari special

Për herë të parë një avion i Armatës Ajrore Jugosllave hyri në hapësirën ajrore shqiptare për të bombarduar një kamp të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Sipas burimeve ushtarake perëndimore, ditën e martë, pak pas orës dhjetë, një aeroplan luftarak me ngjyrë të gjelbër, që vinte nga Jugosllavia, kaloi për herë të parë mbi kampin e UÇK-së, që ndodhej dyqind metra nga kufiri me Kosovën, në veri të Bajram Currit.

Disa minuta më vonë, aeroplani është kthyer dhe ka bombarduar dy herë përpara se të sulmohej nga një aeroplan i NATO-s. Pastaj, pak para orës 14, një helikopter jugosllav ka fluturuar mbi kampin e bombarduar.

Në Bruksel, Aleanca Atlantike e konfirmoi se një aeroplan serb ‘që vinte nga Prishtina’ kishte sulmuar pozicionet e UÇK-së, përpara se të rrëzohej. Megjithatë NATO pohon se ky incident është zhvilluar në Kosovë. ‘Ky aeroplan nuk u vërejt me kohë nga NATO (…) Ai u rrëzua, por ne nuk e dimë nga kush’ deklaroi zëdhënësi ushtarak, gjenerali Walter Jeltz. Paraprakisht një zëdhënës i OSBE-së kishte pohuar se 30 luftëtarë të UÇK-së ishin plagosur në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës gjatë sulmit nga një aeroplan luftarak jugosllav.

Sipas policisë shqiptare që citohen nga burimet e njëjta perëndimore, avioni jugosllav është rrëzuar 50 metra në brendi të territorit shqiptar. Dje, Radio Kuksi ia atribuon sistemit të mbrojtjes kundërajrore, rrëzimin e avionit jugosllav.”

c) Shembulli tjetër është bombardimi i kolonave me të dëbuar shqiptarë.

(Përkthimi i artikullit është bërë nga unë)

“E premte, 16 pill 1999,

Katrin Mone e Radio France Internacionale, që kishte ardhur së bashku me gazetarë nga Beogradi, pohoi se kishte parë një copë bombë me mbishkrimin në gjuhën angleze ‘For use on MK82’. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që kjo të ketë qenë një skenë e kurdisur.

Në momentin e bombardimeve, pak më në jug, në afërsi të fshatit Krushë e Vogël, në rrugë kishte refugjatë. Në thelb, dëshmitë e tyre përputhen me ato të cituara nga AFP në Kosovë, por ata akuzojnë haptazi aviacionin serb. “Avioni filloi të sillej rrotull kolonës. Fluturonte 200 deri më 300 metra lartësi, rrëfen Bajram C. ‘I pashë qartë  ngjyrat e flamurit jugosllav në bishtin e aeroplanit. Ishte MIG 21, me ngjyrë të gjelbër. Ai u kthye dhe ia pash numrin’. Enver Boletini thotë se ndodhej vetëm disa metra  nga vendi ku ishte bërë sulmi? Dhe flet për dy aeroplanë. Të gjithë dëshmitarët shprehnin habinë e tyre, sesi ishte e munduar që televizioni serb të shfaqej menjëherë në vendin e ngjarjeve, si në rastet kur gjërat janë të përgatitura përpara se të ndodhnin…”

Uroj që ata të cilët nuk kanë qenë në dijeni të fakteve të pakontestueshme të përdorimit të aviacion serb gjatë luftës në Kosovës t’i lexojnë me vëmendje shkrimet e lartpërmendura dhe të heqin dorë që në mënyrë të pavetëdijshme të mbajnë gjallë propagandës serbe që për krimet më monstrueze fajësonin herë NATO-n e herë UÇK-në.

Gjenevë, 21 maj 2025

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

Bardhyl Mahmuti, Kryetar

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri i ka…