
Kriminelët serbë ia vranë djalin, vajzën dhe burrin, por heroina Havë nuk lëshoi pikë loti nga sytë e saj
Një ndër nënat e shumta të Kosovës që kriminelët serbë u shkaktuan dhembje dhe vuajtje të pa imagjinueshme gjatë luftës së fundit në Kosovë para 21 vitesh ishte edhe Hava Syla Miftari. Ajo u lind në fshatin Zasellë të Mitrovicës para 54 vitesh, ndërsa vdiq nga një kancer në tru, të mërkurën, më 22.07.2020.
Hava ishte një vajzë shumë e urtë dhe e edukuar. Në moshë të re u martua në fshatin Kqiq të Madh, për Fehmiun e familjes Miftari. Vlerat e saj njerëzore e humane i tregoi edhe në familjen Miftari të Kqiqit ku ishte martuar. Prindërit e Fehmiut, vëllezërit e tij, por edhe gjithë farefisi i tij përbeheshin në të. E donin të gjithë si vajzën e tyre, pasi që ajo i donte ata dhe i respektonte pa masë. Ishte e pa fjalë, punëtore e jashtëzakonshme dhe shumë e sjellshme, si një engjëll i vërtetë. Gjithçka shkonte mbarë në martesën e saj. Ajo lindi gjashtë fëmijë të bukur (edhe vet ishte e bukur) e të shëndosh si molla:katër vajza e dy djem. Jetonte mirë dhe ishte e lumtur me bashkëshortin dhe fëmijët e saj.
Mjerisht, lumturia e Havës me burrin Fehmiun dhe fëmijët, ashtu sikur edhe lumturia e familjes Miftari u shndërrua në dhembje e vuajtje të jashtëzakonshme gjatë luftës së fundit në Kosovë për çlirim e pavarësi nga okupatori serb. Fatin e Havës e të familjes Miftari nga Kqiqi i Mitrovicës e patën edhe shumë e shumë familje të tjera në Kosovë. Që nga atëherë, Hava në jetën e saj pati pak gëzime e momente lumturie dhe tepër shumë dhembje e vuajtje.
Në mesditën e datës 2.04.1999, forcat kriminale serbe granatuan edhe Kqiqin. Një granatë e lëshuar nga kriminelët serbë, qëlloi bodrumin e shtëpisë së Havës, ku ishin strehuar për t’iu ikur bombardimeve mbi 30 perona, fëmijë, pleq e të rinj, gra e burra. Granata masakroi njerëzit e pafajshëm që ishin strehuar në bodrumin e shtëpisë, duke lënë tetë persona të vdekur në vend dhe gjashtë të plagosur rëndë.
Në këtë ngjarje tragjike Hava humbi djalin Xhenisi, pesë vjeç, vajzën Lumnije, 14 vjeç dhe burrin Fehmiun. Rëndë u plagosën edhe djali tjetër i Havës, Egzoni, 3 vjeç, i cili mbeti pa dorë, vajza Xhejlanja 10 vjeç dhe vet Hava, në trupin e së cilës mbetën plotë copëza të granatës, të cilat i mori me vete në botën tjetër, pasi që mjekët nuk arritën t’i largojnë nga trupi. Të vdekur nga granata kishin mbetur edhe vajza e vëllait të Fehmiut, gruaja dhe nusja e djalit të axhës së Fehmiut dhe një e afërme nga Tërllabuqi, një fshat ky i Shalës së Bjgores, e cila kishte mbetur aty që nga fillimi i luftës.
Havën, Egzonin, Elhemen dhe të plagosurit tjerë u dërguan në spitalin e UÇK-së në Kovaçicë të Shalës së Bajgorës. Ajo nuk mundi të ishte e pranishme në varrimin e më të dashurve të saj për t’iu dhënë lamtumirën. Por madhështia e Havës u tregua në ato momente të vështira. Askush nuk ia pa një pikë loti në sytë e saj dhe askush nuk dëgjoi ndonjëherë gjëmat për vuajtjet e mëdha shpirtërore dhe dhembjet jashtëzakonshme fizike.
Babai i Havës, Qazim Syla, i cili nuk kishte mundur t’i gjendej afër Havës në ato qaste dramatike, pasi që ushtria serbe, bashkë me fqinjët tjerë i kishte përndjekur nga fshati për t’i dëbuar dhunshëm për në Shqipëri, me lot në sy tregoi se të bijën e kishte parë vetëm pas më shumë se tri javësh nga dita e masakrës, pasi që sërish kishte arritur të kthehet në fshat në pamundësi për të arritur në Shqipëri. Këto ditë e net ai i kishte kaluar rrugëve të Dukagjinit e të Drenicës, përderisa kishte mbërri në Mitrovicë.
“Më, 26.04.1999, kam shkuar në spitalin e UÇK-së në Kovaçicë të Shalës së Bajgores, për ta parë Havën për herë të parë pas tragjedisë që i kishte ndodhur. U shtanga dhe për pak nuk më ra të fikët kur e shikova në atë gjendje të rëndë. Hava po më shikonte në sy dhe nuk luante qerpik e as lëshonte ndonjë zë. Qëndronte e fortë, aq e fortë sa që në jetën time nuk kisha parë njeri që kishte pësuar aq shumë humbje e kishte aq shumë trauma, pikëllim, dhembje dhe vuajtje, të qëndronte ashtu. Shikimi i saj dhe qëndresa mbinjerëzore më bënë edhe mua të fortë dhe nuk ia plasa vajit. U përqafuam shumë, por nuk dija se çka t’i them. Megjithatë, i dhashë kurajë që të qëndroj kështu”, rrëfeu Qazimi për takimin e parë me Havën, pas tragjedisë që i kishte ndodhur.
Por, vazhdoi Qazimi, vajin nuk munda ta ndal kur aty afër e vërejta edhe nipin, Egzonin tre vjeçar. “Ishte i pa fuqishëm. I mungonte dora që ia kishte shkëputur granata. Ishte tmerr. Më kaploi vaji, ndërsa që Hava sërish qëndronte tepër e fuqishme dhe nuk lëshonte pikë loti. Hava e këtillë e fuqishme qëndroi deri në ditën që i mbylli sytë për të kaluar në botën tjetër”, tha ai.
Sikur fati donte të mos ishte kjo e mjaftueshme për Havën, pasi që kalvari vuajtjeve vazhdoi edhe më tutje. Nga Kovaçica, pas trajtimit të kujdesshëm mjekësor nën drejtimin e Dr Rrustem Musa, kishin vendosur që Havën ta kthejnë disi në familjen e saj në Kqiq të Madh. Por jo gjithçka shkoi në rregull. Ofensiva e forcave ushtarako-policore kriminale serbe, e zuri në Studime të Vushtrrisë, ku më 2.05.1999 u vranë 114 shqiptarë të pafajshëm. Shpëton pasi që vjehrri saj e kishte fshehur nën traktor. Sidoqoftë, edhe pas këtij tmerri, Hava, bashkë me Egzonin pa dorë, arriti të kthehet në shtëpi tek tri vajzat tjera që fatmirësisht kishin mbetur gjallë.
Edhe pjesa tjetër e jetës së Havës pas lufte, nuk ishte aspak e lumtur. Ajo vuajti shumë nga dhembjet dhe vuajtjet e shkaktuara gjatë luftës. E tërë koha i shkoi duke u mjekuar nëpër spitale të Kosovës. Mjekët njëherë i thanë se duhet t’ia amputojnë këmbën. Fatmirësisht, këmba i shpëtoi pasi që shkoi për trajtim në spitalin e ushtarëve francez të KFOR-it.
Si duket, edhe pse nuk e shfaqte hapur, dhembjen më të madhe Havës ia shkaktonte gjendja e djalit të saj, Egzonit, i cili jetën e kalonte nëpër spitale në përpjekje për t’ia sigurua mundësinë që të ketë një protezë. Për këtë, Egzoni qëndroi në spitalin e Prishtinës, Sllovenisë, Gjermanisë dhe Turqisë. Falë mjekëve, Egzoni para dy vitesh, pasi që ndërroi tri proteza, siguroi protezën e nevojshme dhe të përhershme dhe fare pak kush mund të hetoj se nuk ka dorën e tij. Ky fakt e gëzonte Havën.
Megjithatë, ky gëzim nuk zgjati shumë për Havën. Në mars të vitit 2019, mjekët konstatuan se Hava ka një tumor në kokë dhe prognoza ishte tejet e dhembshme. Mjeku shqiptarë me famë botërore, Petrela nga Tirana, kishte parashikuar se tumori ishte ia shërueshëm dhe se ajo nuk do të ketë jetë të gjatë. Edhe gjatë kësaj periode kohore, Engjëlli Hava mbeti e pathyeshme në qëndresën e saj, një heroinë e vërtetë. Si zakonisht, askush asnjëherë nuk i pa lot në sy dhe nuk dëgjoi ndonjë gjëmë apo ofshamë nga ajo. Të vetmin brengosje që Hava ia kishte shfaqur babait të saj Qazimit, kishte qenë gjendja e djalit të saj Egzonit.
“Vajzat i kam kirë. Janë rehatuar dhe kanë fëmijët e tyre. Do të kisha dëshirë që Egzoni të ishte i martuar dhe të kishte një punë. Shpresoj se kjo një ditë do të ndodhë”, kishte thënë Hava.
Le të pushoj e qetë dhe le të prehet në paqe kjo nënë heroinë e Kosovës.
(Hysni Syla)