Kritikat në adresë të zyrtarëve të lartë amerikanë dëmtuan raportet ShBA-Kosovë

06 maj 2020 | 15:40

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka bërë me dije se raportet e Kosovës me ShBA-të janë dëmtuar nga Qeveria Kurti.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se raportet e Kosovës me ShBA-të janë të rëndësisë absolute në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

Gashi ka deklaruar se këto raporte determinojnë mirëfunksionimin e shtetësisë së Kosovës jo vetëm në planin ndërkombëtar por edhe në atë rajonal e të brendshëm.

“Prandaj secila qeveri dhe lider është i detyruar t’i ruajë dhe forcojë ato. Qeveria e z. Kurti dhe vet ai ka hedhur në opinion disa pohime se partneriteti i Kosovës më ShBA-të mund të relativizohet, duke aluduar në orientimin e Kosovës më shumë nga partneriteti me BE-në. Kjo qasje dhe për më tepër disa kritika të drejtpërdrejta në adresë të zyrtarëve dhe diplomatëve të lartë amerikanë, mendoj unë se kanë dëmtuar në masë të konsiderueshme raportet dhe kanë detyruar ata zyrtarë të lartë të dalin publikisht dhe të deklarohen kundër këtyre deklaratave”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se si mund të lexohet reagimi i zyrtarëve të lartë amerikanë ndaj qasjes së Qeverisë Kurti.

“Kjo mund të lexohet edhe si dalje kundër qëndrimit të z. Kurti dhe qeverisë së tij, duke i vendosur disa restrikcione konkrete dhe duke paralajmëruar kështu një politikë më pak mbështetëse ndaj Kosovës nëse do të vazhdojnë më këtë frymë antiamerikane edhe me tej në politikat e tyre qeveritaret e Kosovës”, është shprehur Gashi.

Në këtë intervistë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare ka folur edhe për mundësinë e krijimit të një qeverie të re pa shkuar në zgjedhje të reja dhe prioritetet që duhet t’i këtë ajo në raportet ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Z. Gashi, Kosova aktualisht ka një qeveri në detyrë dhe një shumicë parlamentare që dëshiron ta formojë një qeveri të re. Si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë?
Gashi: Situata e krijuar sigurisht se nuk është shumë e zakonshme, por të shpresojmë se ka filluar të marrë zgjidhje. Kemi një hezitim disa javor të partisë së parë për të dërguar tek presidenti një emër të ri për mandatar. Pastaj presidenti ka dekretuar një mandatar nga partia e dytë, z. Avdullah Hoti. Dekretin e presidentit LV-ja e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Konform të drejtës që ka Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentit deri në dhënien e mendimit lidhur më këtë dekret. Sigurisht është për t’u vlerësuar se si koalicioni që pritej të bëhej ashtu edhe presidenti e kanë pranuar dhe po e respektojnë masën e përkohshme. Dhe dalja nga kjo situatë do të vije nga verdikti i Gjykatës Kushtetues që pritet të dal deri nga fundi i këtij muaji.

“Epoka e re”: Partia që po e udhëheq qeverinë në detyrë po kërkon zgjedhje të reja, ndërsa disa subjekte politike që tashmë kanë bërë një shumicë të re parlamentare pretendojnë një qeveri të re. Kush mendoni se ka të drejtë?
Gashi: Tani edhe opsioni i zgjedhjeve të reja por edhe opsioni i krijimit të një shumice të re parlamentare nga e cila do të dalë një koalicion i ri qeverisës mbetën si dy opsione të mundshme. Por, siç e thamë, ka lëvizje më shumë në drejtim të krijimit të një qeverie të re, nëse kësaj i hap rrugë mendimi i Gjykatës Kushtetuese. Opsioni i zgjedhjeve të parakohshme bëhet paksa i vështirë për shkak të situatës së krijuar me pandeminë. Nëse vendi menjëherë nuk mund të shkojë në zgjedhje kjo nënkupton se nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga një parti e pakicës parlamentare e cila për më shumë është e shkarkuar me shumicën e 2/3 të deputetëve. Nga ana tjetër, nëse nuk ka konsensus politik të deputetëve për vet shpërndarje të parlamentit atëherë opsioni i krijimit të një qeverie të re që ka shumicë parlamentare, (nëse këtë e lejon Gjykata Kushtetuese, me vendimin që do të sjell), duket veprim më legjitim.

“Epoka e re”: Qeveria aktuale është kritikuar se ka dëmtuar raportet me ShBA-të. Sa mendoni se janë dëmtuar këto raporte strategjike gjatë kësaj qeverie?
Gashi: Raportet e Kosovës me ShBA-të janë të rëndësisë absolute në politiken e jashtme të Republikës së Kosovës. Për më shumë ato e determinojnë mirëfunksionimin e shtetësisë së Kosovës, jo vetëm në planin ndërkombëtar por edhe në atë rajonal e të brendshëm. Prandaj secila qeveri dhe lider është i detyruar t’i ruajë dhe forcojë ato. Qeveria e z. Kurti dhe vet ai ka hedhur në opinion disa pohime se partneriteti i Kosovës me ShBA-të mund të relativizohet, duke aluduar në orientimin e Kosovës më shumë nga partneriteti me BE-në. Kjo qasje dhe për më tepër disa kritika të drejtpërdrejta në adresë të zyrtarëve dhe diplomatëve të lartë amerikanë, mendoj unë se kanë dëmtuar në masë të konsiderueshme raportet dhe kanë detyruar ata zyrtarë të lartë të dalin publikisht dhe të deklarohen kundër këtyre deklaratave. Kjo mund të lexohet edhe si dalje kundër qëndrimit të z. Kurti dhe qeverisë së tij, duke i vendosur disa restrikcione konkrete dhe duke paralajmëruar kështu një politikë më pak mbështetëse ndaj Kosovës nëse do të vazhdojnë më këtë frymë antiamerikane edhe me tej në politikat e tyre qeveritarët e Kosovës.

“Epoka e re”: Nëse do të kemi qeveri të re, cilat duhet të jenë detyrat e saj në aspektin ndërkombëtar?
Gashi: Qeveria e re, cilado qoftë ajo, duhet të rikthehet në tavolinën e dialogut, të rikuperoj marrëdhëniet e mira më Uashingtonin, të bashkëpunojë ngushtë edhe me Brukselin dhe vendet e fuqishme të BE-së, në të mirë të forcimit të shtetësisë së Kosovës. Qeveria e re duhet të krijojë një frymë të re të bashkëpunimit me opozitën dhe me presidentit sa i takon ecjes në procesin e dialogut. Duhet të shmang protagonizmin që qeveria e kaluar e impononte në këtë proces dhe të shmang rivalitetin qeveri-presidencë, sepse në politikën e jashtme të dy palët kanë mandat kushtetues. Në këtë proces duhet të rritët edhe roli i parlamentit, përmes pjesëmarrjes në ekipin negociator të përfaqësuesve të tij. Qeveria e re krahas dialogut duhet të riaktivizojë diplomacinë që procesin e lobimit dhe arritjes së njohjeve të reja, si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe nisma ndërkombëtare të lëviz nga një stagnim i plotë që ka ndodhur në dy-tre vitet e fundit.

“Epoka e re”: Mendohet se dialogu Kosovë-Serbi do të jetë prej punëve të para që do të merret qeveria e re. A mund të presim gjatë këtij viti ndonjë marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi?
Gashi: Sa i takon dialogut e ceka më lartë se është aktiviteti më prioritet ndërkombëtar i qeverisë së re. Këtë si prioritet e kanë ngritur ShBA-të, por kohëve të fundit edhe BE-ja. Po në të vërtetë atë duhet parë si shumë të rëndësishëm në radhë të parë për vet shtetin e Kosovës. Ju po e shihni që nga ngecja e dialogut kemi një stagmin dhe një izolim të shtetit të Kosovës. Nuk ka shkëmbime dhe vizita ndërkombëtare, nuk ka njohje, për më shumë ka tërheqje të njohjeve. Kjo situatë më se paku duhet t’i konvenojë Kosovës.
Sa i takon arritjes së një marrëveshje përfundimtare nuk jam optimist se ajo do të ndodh shpejt. Në radhë të parë se ndërmjetësit ndërkombëtar nuk do të ofrojnë një marrëveshje por do të ndihmojnë arritjen e saj në një dialog midis udhëheqjes më të lartë të Prishtinës dhe Beogradit. Rrjedhimisht, duke njohur praktikat e negocimit të marrëveshjeve të vështira, jam i sigurt se edhe arritja e kësaj marrëveshje do të kërkoj një kohë më të gjatë, por jo shumë të gjatë sepse ndërmjetësimi ndërkombëtar bëhet nga aktorë të fuqishëm. Gjërat po shtyhen edhe për shkak të situatës pandemike më nivel global dhe sot të gjitha takimet shumëpalëshe po mbahen në formatin online. Nisur edhe nga kjo rrethanë mund të kemi vonesa në fillimin e dialogut, e rrjedhimisht edhe në arritjen e marrëveshjes.

(Muhamet Koci / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas ndërprerjes së futbollit për shkak të pandemisë Covid-19, sot…