Kriza e improvizuar humanitare në veri kërcënon stabilitetin

27 qershor 14:53

Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, ka thënë se skenari për improvizimin e krizës humanitare në veri është kërcënim për stabilitetin në vend.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se siguria kombëtare vazhdon të jetë e kërcënuar për aq kohë sa Serbia pengon funksionimin normal të shtetit të Kosovës.

“Pra, për sa kohë që Serbia, e përkrahur nga Rusia, manipulon politikanë lokalë serbë, pengon funksionimin normal të institucioneve tona shtetërore, lokale dhe qendrore në veri dhe jo vetëm, konsideroj se siguria kombëtare është jostabile. Integriteti territorial është i mbrojtur si mos më mirë (KFOR-i është përgjegjës), por i kërcënuar vazhdon të mbetet ushtrimi i plotë i sovranitetit kudo dhe ndaj çdokujt brenda territorit tonë. Janë shumë shqetësues skenarët e fundit të improvizimit të krizave humanitare në veri të Mitrovicës dhe inkurajoj që sa më shumë të demaskohet çdo propagandë e tillë. Druaj se në këtë lojë është edhe e ashtuquajtura Qendra Ruso-serbe për Kriza Humanitare. Prandaj skenari i krizës së improvizuar humanitare në veri është kërcënim për stabilitetin”, ka deklaruar Selimi. Kurse sa i përket nivelit të sigurisë publike në Kosovë, ai ka thënë se është i mirë dhe mund të krahasohet me vendet perëndimore.

Selimi ka folur edhe për vazhdimin e afatit për legalizim të armëve, me ç’rast ka thënë se ky është një vendim i mençur i Ministrisë së Punëve të Brendshme i cili mund të ndikojë në rritjen e sigurisë, sidomos të sigurisë humane.

“Në këtë lloj të sigurisë ka ndikim qoftë edhe një armë ilegale më pak”, është shprehur ai, duke shtuar se për të pasur sukses ky proces duhet të përshpejtohen procedurat. “Po, ky është trendi i zakonshëm në çdo përpjekje apo fushatë legalizimi tek ne prej çlirimit e deri më sot. Pra, me përjashtim të periudhës së parë menjëherë pas luftës kur ka pasur një grumbullim më të madh armësh, por jo edhe legalizim, në periudhat e tjera trendi sillet rreth 2 000 kërkesa dhe shumë më pak legalizime. Mbase procedurat e legalizimit duhen përshpejtuar, njëkohësisht duhet të krijohet opinion i drejtë se kërkesat kryesisht për legalizim plotësohen në të mirë të palëve dhe në procedura të lehta”, ka theksuar Selimi.

Ish-shefi i policisë e ka komentuar edhe përpjekjen e Kosovës për t’u bërë pjesë e Interpolit duke thënë se vendi ynë i plotëson kushtet për të qenë anëtare e kësaj organizate.

“Vështirë të parashikosh meqë është çështje politike dhe e varur nga vullneti individual i secilit shtet anëtar. Pastaj ndikimi ruso-serb në këtë organizatë, bashkë me Kinën, nuk është i vogël. Pra, kushdo që e trajton këtë temë duhet ta ketë parasysh se është një OKB në miniaturë, përfshirë edhe raportin e forcave politike dhe ndikimet e tyre në vendimmarrje. Ajo në çka jam i sigurt është se shteti ynë i përmbushë të gjitha kriteret për anëtarësim dhe tash e sa vjet nëpërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it i ka ndihmuar shumë kësaj organizate për arritjen e qëllimeve të saj. Pra, i kemi dhënë shumë Interpolit ende pa qenë anëtar. Sidoqoftë, brenda kësaj organizate ka ndikim”, ka thënë Selimi, duke shtuar se ky proces kërkon shumë punë. “Duhet bërë lobim konkret pa shumë bujë dhe harxhime me shtetet që tanimë i dimë se cilat janë dhe pse kanë hezituar të votojnë herën e kaluar. Pastaj janë edhe disa shtete të vogla të cilat edhe kërkojnë inkurajim shtesë për të qenë në mbledhje meqë zakonisht mungojnë. Pra, kërkohet shumë punë konkrete dhe hiç lajme për lavdi”, është shprehur Selimi.

“Epoka e re”: Z. Selimi, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka vazhduar edhe për tre muaj afatin për legalizimin e armëve. Si e shihni këtë proces dhe sa mund të ndikojë në rritjen e sigurisë në vendin tonë?
Selimi: Vazhdimin e afatit për legalizim të armëve e konsideroj vendim të mençur të Ministrisë së Punëve të Brendshme i cili mund ta rrisë numrin e kërkesave për legalizim dhe, së këndejmi, të ndikojë në rritjen e sigurisë, sidomos të sigurisë humane. Në këtë lloj të sigurisë ka ndikim qoftë edhe një armë ilegale më pak.

“Epoka e re”: Megjithatë, deri më tani një numër i vogël i qytetarëve ka bërë kërkesë për legalizim. Sipas të dhënave të fundit, janë 1 428 kërkesa, prej të cilave 682 janë aprovuar dhe të tjerat janë në proces.
Selimi: Po, ky është trendi i zakonshëm në çdo përpjekje apo fushatë legalizimi tek ne prej çlirimit e deri më sot. Pra, me përjashtim të periudhës së parë, menjëherë pas luftës, kur ka pasur një grumbullim më të madh armësh, por jo edhe legalizim, në periudhat e tjera trendi sillet rreth 2 000 kërkesa dhe shumë më pak legalizime. Mbase procedurat e legalizimit duhen përshpejtuar, njëkohësisht duhet të krijohet opinion i drejtë se kërkesat, kryesisht për legalizim, plotësohen në të mirë të palëve dhe në procedura të lehta.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për situatën e sigurisë së përgjithshme në vend dhe si e komentoni skenarin e serbëve për krizë humanitare në veri?
Selimi: Personalisht mendoj se niveli i sigurisë publike në Kosovë është i krahasueshëm me vendet perëndimore. Pra, është i mirë. Por, e kërcënuar vazhdon të jetë ajo që quhet siguri kombëtare. Pra, për sa kohë që Serbia, e përkrahur nga Rusia, manipulon politikanë lokalë serbë, pengon funksionimin normal të institucioneve tona shtetërore, lokale dhe qendrore, në veri dhe jo vetëm, konsideroj se siguria kombëtare është jostabile. Integriteti territorial është i mbrojtur si mos më mirë (KFOR-i është përgjegjës), por i kërcënuar vazhdon të mbetet ushtrimi i plotë i sovranitetit kudo dhe ndaj çdokujt brenda territorit tonë. Janë shumë shqetësues skenarët e fundit të improvizimit të krizave humanitare në veri të Mitrovicës dhe inkurajoj që sa më shumë të demaskohet çdo propagandë e tillë. Druaj se në këtë lojë është edhe e ashtuquajtura Qendra Ruso-serbe për Kriza Humanitare. Prandaj, skenari i krizës së improvizuar humanitare në veri është kërcënim për stabilitetin.

“Epoka e re”: Z. Selimi, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) kanë bërë me dije se Komiteti Ekzekutiv i Interpolit ka vendosur që aplikacionin e Kosovës ta dërgojë për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit. Sa ka gjasa që Kosova këtë vit të pranohet në këtë organizatë?
Selimi: Vështirë të parashikosh meqë është çështje politike dhe e varur nga vullneti individual i secilit shtet anëtar. Pastaj ndikimi ruso-serb në këtë organizatë, bashkë me Kinën, nuk është i vogël. Pra, kushdo që e trajton këtë temë duhet ta ketë parasysh se është një OKB në miniaturë, duke përfshirë edhe raportin e forcave politike dhe ndikimet e tyre në vendimmarrje. Ajo në çka jam i sigurt është se shteti ynë i përmbushë të gjitha kriteret për anëtarësim dhe tash e sa vjet nëpërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it i ka ndihmuar shumë kësaj organizate për arritjen e qëllimeve të saj. Pra, ne i kemi dhënë shumë Interpolit ende pa qenë anëtar. Sidoqoftë, brenda kësaj organizate ka ndikim.

“Epoka e re”: Për ta realizuar këtë synim, cili duhet të jetë fokusi i shtetit të Kosovës?
Selimi: Duhet bërë lobim konkret pa shumë bujë dhe harxhime me shtetet që tanimë i dimë se cilat janë dhe pse kanë hezituar të votojnë herën e kaluar. Pastaj janë edhe disa shtete të vogla të cilat edhe kërkojnë inkurajim shtesë për të qenë në mbledhje meqë zakonisht mungojnë. Pra, kërkohet shumë punë konkrete dhe hiç lajme për lavdi.

Shqipe HETEMI 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-sulmuesi i Trepçës ’89, Otto John mund të rikthehet në…