Kriza e koronavirusit kërcënon lirinë e shtypit nëpër botë

03 maj 2020 | 12:20

Në mbarë botën, regjimet diktatoriale janë përpjekur të shtypin lirinë e medias gjatë pandemisë së koronavirusit, thotë CNN.

Në Iran, qeveria ka vendosur kufizime gjithëpërfshirëse në mbulimin e pandemisë, përfshirë këtu ndalimin e gazetave të printuara. Gazetarët janë arrestuar për raportimet e tyre, duke nisur nga një reporter që kritikoi qeverinë pasi tha se ekzekutivi dështoi të përgatitej për pandeminë apo një tjetër që pretendonte se një zyrtar vendor kishte testuar pozitivisht për Covid-19. Të gjitha këto janë të pohuara nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

Në Kinë, qeveria pretendon se kontrolli mbi informacionin është i nevojshëm për të luftuar sëmundjen. Nga Chen Qiushi, një gazetar që udhëtoi në muajin janar drejt Wuhanit ku u zbulua virusi, dhe i cili postoi video në YouTube duke raportuar se spitalet ishin të mbingarkuar, nuk dihet më asgjë që prej datës 6 shkurt. Në listë, CNN fut dhe Hungarinë, ku siç thotë, një ligj i ri për t’i dhënë kryeministrit kompetenca të zgjeruara gjatë emergjencave, përfshin një dispozitë që ndalon publikimin e atyre që cilësohen si “informacione të rreme” në lidhje me pandeminë; shkelësit rrezikojnë deri në pesë vjet burg.

Gazetarë vendas i thanë Deutsche Welle se ligji ka krijuar paqartësi nëse ata mund të ndiqen penalisht edhe për raportimin e informacioneve të vërteta dhe se e gjithe kjo e bën shumë të vështirë punën e grumbullimit të të dhënave. Por abuzimi me lirinë e shtypit në këto kohë, nuk është kufizuar vetëm në regjimet autoritare. Edhe në Afrikën e Jugut, një ligj i ri e konsideron krim dezinformimin publik mbi sëmundjen. Shqetësuese janë edhe disa zhvillime të kësaj natyre në Indi ku qeveria e Narendra Modi po përpiqet të sigurojë nga Gjykata e Lartë dritën jeshile që për publikimin e çdo lajmi mbi koronavirusin të kërkohet më parë leje shtetërore.

Në një kohë kur puna e tyre nevojitet më shumë, gazetarët në mbarë botën po rrezikojnë jo vetëm lirinë, por edhe jetën në vijën e parë të mbulimit të kësaj pandemie. Ata meritojnë vlerësimin dhe mbështetjen e të gjithëve sot më shumë se kurrë, thotë CNN./tch/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” përmes një njoftimi për media…