Kriza e vërtetë e fertilitetit, pse njerëzit nuk krijojnë familjet që dëshirojnë

11 korrik 2025 | 08:13

Çfarë po ndodh me shkallët e lindshmërisë në mbarë botën? Gati çdo ditë jemi të bombarduar me tituj alarmues për një vend tjetër ku numri i lindjeve ka arritur një nivel historikisht të ulët. Në disa vende, si Ukraina dhe Koreja e Jugut, shkalla e lindjeve ka rënë nën një fëmijë për grua mesatarisht. Edhe në vende me fertilitet tradicionalisht të lartë, shkalla po bie; Turqia, për shembull, ka parë një rënie nga 2.2 në më pak se 1.5 brenda vetëm një dekade. Tendencat e fertilitetit në shumicën e hemisferës veriore po shkojnë vetëm në një drejtim: poshtë.

Pse po ndodh kjo? Kur pyeten se sa fëmijë duan të kenë, shumica e njerëzve anembanë botës përgjigjen “dy ose më shumë”. Pra, diçka po i pengon njerëzit që të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë, duke i shtyrë të ndryshojnë planet e tyre familjare gjatë jetës.

Një raport i ri nga UNFPA, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara, hedh dritë mbi atë që i pengon njerëzit të krijojnë familjet që duan. Ne kemi anketuar 14,000 persona në 14 vende të ndryshme për të kuptuar sfidat me të cilat përballen.

Pengesa më e madhe është ekonomike. Më shumë se gjysma e të anketuarve (54 për qind) thanë se situata e tyre financiare, mungesa e banesave të përballueshme, pasiguria në punë apo kostoja e lartë e përkujdesjes ndaj fëmijëve ka ndikuar, ose mund të ndikojë, në vendimin e tyre për të mos pasur numrin e dëshiruar të fëmijëve.

Faktorë të tjerë përfshijnë probleme shëndetësore si infertiliteti (24 për qind), frikë për të ardhmen (19 për qind) si dhe norma seksiste dhe probleme në marrëdhënie. Kjo përfshin njerëz që nuk kanë gjetur partnerin e duhur për të pasur fëmijë (14 për qind) dhe rritjen e beqarisë, pjesërisht e nxitur nga qëndrimet dhe vlerat e ndryshme gjinore mes të rinjve dhe të rejave. Po ashtu përfshin njerëz që mendojnë se partneri i tyre nuk po kontribuon sa duhet në ndarjen e barrës së përkujdesjes (11 për qind).

Raporti paraqet një tablo të një bote ku një numër i madh njerëzish thjesht nuk arrijnë të krijojnë familjet që duan. Mes njerëzve mbi moshën 50 vjeç, të cilët zakonisht kanë përfunduar periudhën e lindjeve, një përqindje befasuese prej 40 për qind thanë se përfunduan me më pak fëmijë se sa kishin shpresuar.

Ndoshta në mënyrë befasuese, edhe në vende me shkallë të ulëta lindshmërie, ka ende mjaft njerëz që kanë pasur më shumë fëmijë se sa dëshironin. Kjo tregon se njerëzit vazhdojnë të përballen me vështirësi në qasjen ndaj kontracepsionit dhe në shmangien e shtatzënive të padëshiruara. (Dhe natyrisht, kjo është një problem shumë më i rëndë në vendet me lindshmëri të lartë.)

Me kaq shumë njerëz që nuk janë në gjendje të formojnë familjet që dëshirojnë, dhe me kaq shumë arsye që ndikojnë në vendimet e tyre, mesazhi i raportit për qeveritë e shqetësuara për të ardhmen demografike të vendit është i qartë: Shkalla e ulët e lindshmërisë nuk është kriza e vërtetë; ajo është thjesht një simptomë. Kriza e vërtetë është paaftësia jonë për të hequr pengesat që i ndalojnë njerëzit të realizojnë ëndrrat e tyre familjare dhe të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë.

Zbulimet e raportit na ndihmojnë gjithashtu të kuptojmë pse përpjekjet e shumta të qeverive për të inkurajuar lindjet përmes “bonuseve për bebe”, lehtësimeve tatimore apo stimujve të tjerë financiarë kanë dështuar. Kostoja e pasjes së një fëmije – si ajo financiare ashtu edhe, veçanërisht për gratë, në aspektin e mundësive të humbura në karrierë – është përgjithësisht aq e lartë, sa edhe pagesat bujare nga shteti e mbulojnë vetëm pjesërisht.

Për më tepër, ndihma financiare nuk zgjidh shumë prej çështjeve të tjera që ndikojnë në zgjedhjet e njerëzve. Po për vështirësitë që kanë shumë të rinj për të gjetur një partner të përshtatshëm? Po për normat sociale që ende ua lënë grave pjesën më të madhe të përgjegjësisë për përkujdesje ndaj fëmijëve? Po për zgjedhjen e vështirë që shumë gra ende duhet të bëjnë mes pasjes së fëmijëve dhe mbajtjes së një pune? Dhe po për frikërat që kanë shumë njerëz për të ardhmen e tyre dhe të planetit tonë?

Krijimi i një bote ku njerëzit mund të kenë familjet që dëshirojnë kërkon më shumë sesa thjesht ndihmë financiare. Ushtrimi i presionit për të pasur më shumë fëmijë nuk ndihmon. Në fakt, ai rrezikon të dëmtojë të drejtat riprodhuese dhe të prishë përparimin e arritur me shumë mund në barazinë gjinore.

Në vend të kësaj, kemi nevojë që institucionet të dëgjojnë me vëmendje shqetësimet e të rinjve, veçanërisht, dhe t’i marrin seriozisht. Kemi nevojë për institucione që tregojnë se nuk do të sakrifikojnë të drejtat e barabarta të grave dhe lirinë për të marrë vendime për trupin e tyre në emër të numrave të popullsisë. Dhe kemi nevojë për institucione që ofrojnë mbështetje për banim të përballueshëm, kujdes për fëmijët, punë fleksibile dhe politika të lejes prindërore, parandalimin dhe trajtimin e infertilitetit, si dhe promovimin e normave gjinore më të barabarta.

Me pak fjalë, kemi nevojë për krijimin e shoqërive që janë vërtet miqësore ndaj fëmijëve dhe familjes – por në një mënyrë që ruan dhe, në fakt, avancon barazinë gjinore dhe të drejtat riprodhuese, dhe që respekton plotësisht të drejtën e njerëzve për të mos pasur fëmijë.

Nuk ka një buton magjik që institucionet mund të shtypin për të rritur apo ulur shkallët e lindshmërisë kur të duan. Por ato mund të heqin pengesat që qëndrojnë mes njerëzve dhe dëshirave të tyre riprodhuese, duke siguruar që të gjithë të kenë mundësinë për të pasur numrin e fëmijëve që duan.

Florence Bauer është Drejtoreshë Rajonale për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në UNFPA, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në pjesën e katërt janë prezantuar dokumente, fotot e emaile…