
Kriza politike: Abdixhiku dhe Limaj takim “kokë më kokë” për 1 orë e 30 minuta
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, janë takuar sot në një bisedë “kokë më kokë”.
Takimi mes tyre ka zgjatur mbi një orë e gjysmë dhe është zhvilluar në kuadër të diskutimeve për krizën aktuale politike në vend. Sipas burimeve të Gazetës Blic, biseda është mbajtur në një atmosferë pozitive dhe është përqendruar në gjetjen e rrugëve për dalje nga ngërçi institucional.
Ndonëse nuk është bërë e ditur nëse ka pasur ndonjë dakordim konkret, as LDK-ja e as Nisma nuk kanë dhënë detaje zyrtare për takimin.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 33-të radhazi të konstituohet. Vetëvendosje vazhdon të insistojë që Albulena Haxhiu të jetë kryetare e Kuvendit, por opozita e konsideron atë si figurë konfliktuoze.
Fatmir Limaj ka zhvilluar më parë edhe një takim me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, por pa ndonjë marrëveshje konkrete, pasi kreu i Nismës ka kërkuar postin e kryeparlamentarit.
Nga ana tjetër, Lumir Abdixhiku ka refuzuar ftesën e Kurtit për një koalicion të mundshëm dhe ka propozuar formimin e një Qeverie Uniteti. Siç shkruan Gazeta Blic, edhe pas katër muajve nga përfundimi i zgjedhjeve të përgjithshme, Kosova ende nuk ka arritur të krijojë institucionet e saj.