
Kriza politike është e qëllimshme, sulmet ndaj Kushtetueses janë të rrezikshme
Kaluan shtatë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, por edhe sot e kësaj dite nuk u konstitua Kuvendi, rrjedhimisht as nuk u formua qeveria e re.
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus vlerëson se Kosova po përballet me një krizë politike të qëllimshme dhe jo me një bllokadë juridike si në të kaluarën.
Ai në intervistë për Ekonomia Online, tha se mungesa e vullnetit për të krijuar shumicë parlamentare po e mban vendin në ngërç institucional.
“Është jashtëzakonisht krizë e thellë dhe kjo për arsye se është e qëllimshme dhe nuk është një bllokadë, e cila ka paqartësi juridike, siç kanë qenë në vitin 2014, kur palët kanë pasur me të drejtë qëndrime të ndryshme. Por, tani gjithçka është e qartë dhe krizat të cilat po prodhohen janë komplet politike dhe çka është duke e përkeqësuar edhe më shumë janë sulmet, të cilat po bëhen ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe presioni edhe prej krerëve të shtetit që të merr vendime, që i shkojnë për shtati kalkulimeve të tyre politike.
Gjuha, e cila po përdoret duke i shpallur edhe si tradhtarë në rast se vendimmarrja nuk shkon sipas kërkesave të tyre, ka më shumë për qëllim që të dëmtojë reputacionin e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimet e tyre të mos përfillen sesa që ka të bëjë me komunitetin serb dhe të drejtën apo jo të Listës Serbe për të propozuar nënkryetar të Kuvendit, dhe gjithçka po paketohet në aspektin e patriotizmit, por realisht kjo është vetëm një mashë, e cila po përdoret për të sulmuar Gjykatën Kushtetuese”, tha Krasniqi.
Ai vlerësoi se ky presion dhe gjuha denigruese ndaj Gjykatës Kushtetuese po rrezikojnë funksionimin e rendit kushtetues në vend.
“Më shumë po e shoh si një refuzim i Lëvizjes Vetëvendosje për të njohur rezultatin e zgjedhjeve të shkurtit dhe po synohet që koha të ‘ngrihet’ në 14 shkurt të vitit 2021, ku Lëvizja Vetëvendosje ka pasur shumicën e votave.
Duke qenë se ka humbur këtë shumicë, tendenca e tyre është që vazhdimisht të bllokojnë dhe të prolongojnë konstituimin e institucioneve të reja, duke kalkuluar se mund të fitojnë ndonjë rritje për të shkaktuar zgjedhje, të cilat do t’i mundësonin të qëndrojë në pushtet”, tha ai.
Krasniqi shtoi se nëse asnjë parti nuk ka shumicën për të krijuar qeverinë, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja si rrugëdalje nga ngërçi politik.“Nëse askush prej partive politike nuk e ka shumicën, atëherë zgjedhjet janë një mjet, të cilin duhet përdorur për të dalë nga kjo krizë politike. Por, me këto interpretime, të cilat po bëhen dhe tendenca për të bllokuar, mund të hyjmë nga kriza në krizë dhe të mos arrijmë ta kalojmë, përderisa nuk ka një vullnet që të krijohet një shumicë parlamentare në mesin e partive ekzistuese”, tha për Ekonomia Online, Krasniqi.