Kriza politike në Kosovë: Zgjidhje me qeveri të re, apo zgjedhje të reja?

16 prill 2025 | 11:15

Assoc. Prof. dr. Nijazi Halili, profesor i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Kosova po përballet me një krizë të thellë politike pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Rezultati i këtyre zgjedhjeve, ku Lëvizja Vetëvendosje (VV), e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, fitoi rreth 42% të votave – duke humbur shumicën absolute që e mbante që nga viti 2021 – ka sjellë një realitet të ri politik dhe institucional. Pavarësisht se mbetet subjekti më i votuar, Vetëvendosje nuk arrin të sigurojë një shumicë për të formuar e vetme qeverinë, ndërkohë që opozita është ende e fragmentuar dhe e paaftë për të krijuar një alternativë funksionale.

Seanca e parë e Kuvendit të Kosovës, e cila duhej të shënonte fillimin e legjislaturës së re, u shty për shkak të mosmarrëveshjeve rreth konstituimit të institucioneve. Kjo bllokadë e ka zgjatur pafundësisht procesin e formimit të qeverisë dhe ka rritur ndjeshëm pasigurinë politike në vend. Vetëvendosje ka refuzuar kategorikisht mundësinë e hyrjes në koalicion me partitë opozitare si PDK, LDK apo AAK-NISMA, ndërkohë që këto subjekte, ndonëse në bisedime intensive, nuk kanë arritur ende konsensus për një shumicë të re parlamentare.

Kriza politike ka për pasojë një paralizë institucionale që rrezikon të minojë funksionimin demokratik të shtetit. Në këtë kontekst, vendimmarrja strategjike për zhvillimin ekonomik, reformat në drejtësi, politikat sociale dhe procesi i dialogut me Serbinë kanë hyrë në një periudhë stagnimi të rrezikshëm. Tensionet në veriun e vendit vazhdojnë të jenë burim i shqetësimit të përhershëm për sigurinë nacionale, ndërkohë që mungesa e një qeverie legjitime dhe funksionale e ka zbehur dukshëm kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës. Marrëdhëniet me BE-në dhe NATO-n, dy nga partnerët strategjikë të shtetformimit të Kosovës, po hyjnë në një fazë ngrirjeje, me ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e integrimit euroatlantik.

Në këtë udhëkryq politik, Kosova përballet me dy skenarë të mundshëm: formimi i një qeverie të re gjithëpërfshirëse, përmes një kompromisi ndërpartiak që do të garantonte stabilitet institucional dhe do të shmangte zgjedhjet e parakohshme; apo shkuarja në zgjedhje të reja, si pasojë e dështimit për të formuar një shumicë të qëndrueshme. Megjithatë, një cikël i ri zgjedhor, përveç kostove politike e financiare, rrezikon të prodhojë të njëjtin rezultat të fragmentuar, duke e futur vendin në një spirale të pafundme krizash.

Kosova ka nevojë urgjente për një zgjidhje që mbështetet në legjitimitet demokratik, stabilitet institucional dhe integrim ndërkombëtar. Vetëm një qeveri funksionale, me mandat të qartë dhe përfaqësim të balancuar, mund të përballet me sfidat e brendshme dhe të jashtme që rëndojnë mbi të ardhmen e shtetit. Është koha që elita politike të dalë mbi interesat partiake dhe të dëshmojë përgjegjësi shtetformuese. Ndryshe, Kosova rrezikon të thellohet në një krizë ciklike që mund të cenojë themelet e saj kushtetuese dhe projektin e saj shtetëror.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti dhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka komentuar dështimin…