KRM ‘Pastrimi’ distancohet nga veprimi i punëtorit që hodhi mbeturina në oborrin e komunës së Fushë-Kosovës
Komuna e Fushë-Kosovës dhe Kompania Rajonale e Mbeturinave Pastrimi kanë reaguar publikisht pas incidentit, ku një kamion me mbeturina u zbraz para objektit të komunës, duke shkaktuar polemika.
Komuna e Fushë-Kosovës e ka cilësuar veprimin si akt skandaloz dhe vandal ndaj institucionit, duke e lidhur atë me tensionet politike pas ndryshimeve në pushtetin lokal.
Në reagimin e saj, komuna thekson se hedhja e mbeturinave para objektit komunal nuk është thjesht veprim i pahijshëm, por tregues i një mentaliteti që nuk pranon humbjen politike dhe realitetin e ri institucional.
Sipas komunës, kompania rajonale, e drejtuar nga persona të afërt me ish pushtetin lokal, ka zgjedhur ta përdorë këtë veprim si mesazh politik.
Në reagim thuhet se ky nuk mund të konsiderohet protestë, por akt i një kaste politike që për vite të tëra ka prodhuar më shumë probleme sesa zgjidhje, duke kërkuar që rasti të trajtohet nga institucionet e drejtësisë dhe autorët të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Nga ana tjetër, KRM Pastrimi ka mohuar çdo përgjegjësi institucionale, duke theksuar se veprimi është kryer nga një punëtor në mënyrë individuale dhe nuk përfaqëson politikat apo qëndrimin e kompanisë.
Kompania ka njoftuar se ekipet e saj kanë reaguar menjëherë, duke larguar mbeturinat dhe pastruar zonën para objektit komunal, për të mos cenuar rendin publik dhe shëndetin e qytetarëve.
KRM Pastrimi ka hedhur poshtë pretendimet e punëtorit lidhur me kushtet e punës, duke deklaruar se operon në përputhje me standardet ligjore dhe kontraktuale, duke siguruar pajisje dhe mbështetje për punëtorët.
Kompania është distancuar nga veprimi, duke njoftuar se rasti do të trajtohet sipas procedurave të brendshme disiplinore dhe në përputhje me ligjin.
Incidenti ka nxitur debat publik dhe politik në Fushë Kosovë, ndërsa pritet që institucionet kompetente të sqarojnë rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me rastin.



