Kroacia e rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak, qindra adoleshentë paraqiten në detyrë

09 mars 2026 | 18:38

Qindra adoleshentë kroatë janë paraqitur në detyrë për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, për herë të parë që nga viti 2008, kur shteti ballkanik e kishte hequr këtë masë.

Trajnimet do të mbahen në baraka në tri pjesë të vendit. Rekrutët pritet që të paraqiten në pikat që janë më afër shtëpive të tyre, raporton televizioni BBC.

Atje, të rinjtë do të pajisen me uniforma e mjete të tjera të nevojshme dhe do t’u caktohen detyrat në konvikt. Për dy muajt në vijim, do të jenë të detyruar që t’i nënshtrohen disiplinës ushtarake.

“Ata tashmë janë tërhequr nga mjedisi civil” – tha Tihomir Kundid, komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë.

Në rast se këto fjalë kanë tingëlluar të ashpra, gjenerali i siguroi prindërit e shqetësuar se fëmijët e tyre do të trajtohen me kujdes.

“Do t’i ambientojmë hap pas hapi, në mënyrë që të mos përjetojnë shumë stres” – shtoi ai.

Shumë prej të rinjve që do të shërbejnë në ushtri nuk do të ballafaqohen me “kufizime të posaçme” rreth përdorimit të telefonave, përpos ndalimit të tyre gjatë trajnimeve.

Rreth 800 persona janë në grupin e parë të rekrutëve. Më shumë se gjysma prej tyre as nuk pritën që t’u arrinin letrat për t’u paraqitur, por dolën si vullnetarë për shërbim. Rreth 10 për qind janë vajza e gra, edhe pse nuk e kanë të detyrueshëm shërbimin ushtarak.

Zyrtarët kroatë gjithashtu kanë theksuar se vetëm 10 persona janë ankuar për të mos shërbyer në ushtri. Ata duhet të kalojnë katër muaj në shërbim civil.

Rekrutët do të paguhen nga 1.100 euro në muaj, ndërsa ata që do të jenë në shërbimin civil do ta marrin më pak se gjysmën e kësaj shume./Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme edhe ndaj dekretit…