
Kroacia i dhuron Kosovës 10 mijë vaksina anti-Covid
06 maj 2021
| 10:45
Ministri i Jashtëm kroat Gordan Gërliq Radman ka njoftuar se Kroacia ka ndarë për Kosovën 10,000 vaksina kundër koronavirusit.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar të enjten në Prishtinë me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla.
“Me kënaqësi të veçantë e kam informuar zonjën ministre rreth vendimit të Qeverisë së Kroacisë për dhënien e një donacioni prej 10.000 dozave te vaksinave kundër koronavirusit për Republikën e Kosovës. Besojmë se ky donacion do të jetë i mirë për mbrojtjen e njerëzve”, ka thënë ai në një konferencë për media pas takimit.
Ministri kroat nuk e ka përmendur se vaksina e cilës kompani do t’iu dorëzohet autoriteteve të Kosovës.