Kronikë e një tragjedie kombëtare

17 dhjetor 2020 | 14:27

Biser MEHMETI “Një tragjedi kosovare” (roman), SHB “Beqir Musliu”, 2020

Shkruan: NIJAZI RAMADANI

Biser Mehmeti jo vetëm gjatë botimit të pesë romaneve të tij (dy nga të cilët kanë fituar në konkurse letrare) ka dëshmuar se është një shkrimtar që në forma të ndryshme është në gjendje të përshkruajë me një gjuhë figurative ngjarje të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë sidomos gjatë këtyre dekadave të fundit. Në shumicën e krijimtarisë së tij shfaqur në masë të madhe një botë të brendshme psikologjike, të cilën në raste të shpeshta e arrin përmes personazheve të ndryshme, disa nga të cilët shpesh ngritën kundër realitet të hidhur të kohës.

Derisa e lexoja me një kujdes të shtuar romanin e tij të fundit e tij me një titull që në shikim të parë duket konvencional “Një tragjedi kosovare” përpara më shfaqeshin skena të trishtueshme, të cilat më bëhej sikur i kisha parë me sytë e mi. Gjatë kësaj kohe sa thellohesha gjithnjë e më shumë në leximin e këtij romani përpara syve më shfaqeshin ushtarë të okupatorit, të cilët hynin nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe pa kurrfarë mëshire vrisnin njerëzit e pafajshëm, vetëm pse ata flisnin një gjuhë tjetër.

Autori me mjaft mjeshtri ia ka arritur qëllimit që të na shfaq tablo sa më autentike, duke u kursyer mjaft shumë në paraqitjen e dialogjeve. Na e thotë mendja se qëllimi i autorit Mehmeti gjatë përshkrimit që bën në romanin “Një tragjedi kosovare” ka qenë të paraqes një gjendje të tmerrshme në të cilën është gjendur populli ynë gjatë një periudhe të rëndësishme të historisë, periudhë kjo që për shumicën prej nesh ende është e freskët në një skaj të kujtesës, e cila ishte e mbushur me dhunë të shfrenuar të okupatorit ndaj kombit…

Që në faqet e para të këtij dorëshkrimi autori Biser Mehmeti ka paraqitur gjendjen mjaft të tensionuar në të cilën gjendet një familje kosovare si pasojë e mosbindjes ndaj pushtetit okupues, i cili ishte vënë në gjah kundër të gjithë atyre që kishin guxim sado pak të vepronin kundër tyre në forma të ndryshme. Përmes fatit, përkatësisht fatkeqësisë apo thënë edhe tragjedisë së kësaj familje, autori sikur ka paraqitur edhe fatin dhe fatkeqësinë e një populli të tërë, i cili ndiqet pamëshirshëm nga një regjim i egër okupues, i cili në programin e tij kishte shfarosjen e një populli, i cili detyrohet  të përjetojë gjëra nga më të tmerrshmet për të shpëtuar nga kjo zezonë që kishte pllakosur pjesën më të madhe të kombit. Familja për të cilën autori e vë në qendër të rrëfimit të tij, si shumë familje të tjera shqiptare, është e shtrënguar ta braktis atdheun, edhe pse një gjë të këtillë nuk e dëshiron për asnjë çmim.

Megjithatë nëse nuk e bënin një gjë të këtillë e gjithë familja do të zhdukej përmes një dhune të llahtarshme, e cila ushtrohej në mënyrë sistematike duke mos zgjedhur forma as mjete… Tema për të cilën autori shkruan është një temë që i ka munguar letërsisë sonë dhe si e tillë autori ka arritur të bëjë një shtjellim të dukshëm përmes portretizimit jo vetëm të personazheve kryesore që veprojnë në këtë roman, po edhe përmes portretizimit të disa personazheve të tjera, të cilët kryesisht janë persona që autori nuk i ka trilluar për të realizuar ngjarjen e tij dramatike, po duket sikur i ka marrë nga jeta e përditshme, për të cilën ka mjaft njohuri dhe për të cilën një pjesë e madhe e popullit ka dëgjuar e një pjesë tjetër edhe e ka përjetuar në lëkurën e tij.

Në këtë roman autori sikur ka ndjerë dhimbje të madhe bashkë me personazhet, të cilët marrin rrugën e arratisjes nga atdheu, rrugën drejt të panjohurës, rrugën që i shpie përtej shtatë bjeshkëve, atje ku fati dhe fatkeqësia sikur bashkëjetojnë në mes veti, sikur ato nuk dallohen fare. Në këtë mënyrë familja shqiptare, e gjendur në mes të fatit dhe fatkeqësisë, në mes të shpresës dhe pikëllimit, përjeton situata të tmerrshme, përjeton dhunë të shfrenuar nëpër “rrugët e ferrit” të cilave nuk u shihet fundi askund. Autori sikur shndërrohet edhe vetë në personazh të romanit të tij, ngase shpeshherë duket fryma e tij, i cili sikur mundohet t’i shpëtojë personazhet e romanit nga tragjedia, po që nuk ka mundësi, sepse situata është e tillë që nuk e lejon një gjë të këtillë…

Çasti më i rëndë, të cilin sikur autori mundohet ta kalojë sa më shpejt, po që e ka të vështirë ta bëjë një gjë të këtillë, shfaqet nga mesi i romanit, atëherë kur vogëlushja e familjes shqiptare, të cilën autori e përshkruan me fjalë të zgjedhura, nuk arrin të mbijetojë në kushte tepër të rënda, derisa qëndron për disa ditë në mes të një mali, kurse gjatë gjithë kohës shoqërohej me ulërimat e bishave të egra. Megjithatë, vogëlushja nuk vdes nga dhëmbët e ujqve, po nga mungesa e ushqimit, pasi që familja e saj për një kohë të gjatë është e detyruar të jetojë në mes të malit në qiellin e hapur, pa ushqim, pa asgjë, madje as pa shpresë, atje ku e kishin dërguar grupet kriminale duke i mashtruar e duke i grabitur me premtime të rreme se do t’i dërgonin përtej kufirit të atdheut, po që nuk i dërgojnë…

Rruga nëpër të cilën kalon kjo familje shqiptare është rrugë që i ngjan rrugës së ferrit. Njerëzit sikur e shohin ferrin me sy dhe sikur fillojnë të besojnë se ajo nuk dallohet shumë nga rruga nëpër të cilën kanë udhëtuar për një kohë të gjatë. Disa nga personazhet madje edhe pendohen pse nuk vdiqën në atdhe, po morën “botën në sy”!…

Në fund mund të themi se përmes këtij romani autori sikur ka përshkruar një kronikë për një epokë të rëndësishme të popullit shqiptar dhe si i këtillë e plotëson në masë të madhe opusin jo vetëm të tij letrar, po edhe të letërsisë shqipe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekspertja e sëmundjeve infektive, Dr. Dena Grayson thotë se tani…