
KRU “Prishtina” nënshkruan marrëveshjen për projektin 72 milionë euro, me mbështetje ndërkombëtare
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” mbajti sot ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve të kontributit për projektin “Climate Appropriate Urban Development: Sewage Prishtina (incl. Sewage I/II)” për komunën e Prishtinës dhe atë të Fushë Kosovës.
Në këtë ceremoni morën pjesë: Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë z. Jörn Rohde, kryeshefi ekzekutiv i KRU” Prishtina” Arsim Fetahu, kryetari i komunës së Prishtinës z. Përparim Rama, nënkryetari i komunës së Fushë Kosovës z. Besnik Osmani dhe përfaqësuea të lartë të KFW në Prishtinë.
Ky projekt me vlerë totale prej 72 milionë eurosh, i mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, pritet të sjellë ujëra dhe lumenj më të pastër, një mjedis më të shëndetshëm dhe përfitime të prekshme për 40 për qind të popullsisë së Kosovës.
Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arsim Fetahu, bëri të ditur se projekti nuk do të përfshijë vetëm Prishtinën dhe Fushë Kosovën, por edhe komunat e Graçanicës, Obiliqit dhe Podujevës.
“Përveç dy komunave që kemi cekur, zgjidhje e problemit për ujërat e ndotura do të ndodhë edhe në dy komunat e tjera: për komunën e Graçanicës dhe atë të Obiliqit. Gjithashtu edhe në komunën e Podujevës jemi në zgjidhjen e problemit me ujërat e ndotura. Ky projekt i ujërave të zeza është një projekt i rëndësishëm që do të bëjë zgjidhje për banorë që do të ndikojë në krijimin e kushteve më të mira për këta banorë. Ky projekt, në aspektin teknik, nënkupton pastrimin dhe në fund, me anë të impiantit, mundësinë që uji i pastruar të derdhet në lumin”
Kjo marrëveshje pasqyron përkushtimin tonë të përbashkët për bashkëpunim dhe zhvillim. Ky moment shënon një fillim të ri plot mundësi dhe besim reciprok.