
Kryediplomati Hasani: Shqipëria mbështet politikisht Izraelin dhe të drejtën për vetëmbrojtje
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka thënë se Shqipëria e mbështet qartazi Izraelin dhe të drejtën e këtij vendi për t’u vetëmbrojtur.
Në një deklarim në emisionin “Të Paekspozuarit” në “MCN TV”, Hasani e ka quajtur Iranin një vend ku regjimi i Ajatollahëve shkel angazhimet për mospërhapjen e armëve bërthamore.
“Shqipëria është qartazi në mbështetje politike të Izraelit, të të gjithë vendeve që mendojnë se regjimi i Ajatollahëve nuk duhet të rrisë kapacitete bërthamore dhe duhet të respektojë angazhimet e marra në mospërhapjen e armëve bërthamore. Është regjim që i thyen këto angazhime. Ne e dënojmë fuqimisht mënyrën se si regjimi i Ajatollahëve po vepron. Ne mbështesim shtetin e Izraelit në të drejtën për tu mbrojtur. Ne ushtrojmë presionin politik të gjithë së bashku ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran dhe padyshim këto qëndrime do të vijojnë të jenë konseguente në raport me atë që diplomatët tanë bëjnë”, ka thënë Hasani.
I pyetur nga moderatori Ylli Rakipi lidhur me konfliktin tjetër në Gaza dhe anën tjetër të medaljes, ku një numër i konsiderueshëm civilësh, përfshirë fëmijë, janë vrarë, Hasani ka dhënë një përgjigje të shkurtër duke deklaruar se Shqipëria është një vend paqësor që mbështet paqen.
“Shqipëria gjithmonë ka treguar që është vend paqësor dhe mbështet paqen. Shqipëria ka treguar se e ka mbështetur zgjidhjen e dy shteteve, në konfliktin e Izraelit me palestinezët. Shpresojmë padyshim që këto realitete të mbarojnë sa më shpejt”, ka thënë Hasani.