Kryediplomati izraelit viziton Somalilandin, zemëron Somalinë

07 janar 2026 | 08:14

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, e vizitoi Somalilandin të martën në një vizitë që u dënua nga Somalia, vetëm dhjetë ditë pasi Izraeli formalisht e njohur republikën e vetëshpallur si shtet të pavarur dhe sovran.

Izraeli është shteti i vetëm që e ka njohur formalisht vendimin e Somalilandit për t’u ndarë nga Somalia, e cila vendimin e Izraelit për njohje e ka përshkruar si “hap të paligjshëm” dhe ka thënë se vizita e ministrit izraelit është “shkelje serioze” e sovranitetit të saj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin X, ministri Saar tha se kishte zhvilluar bisedime “rreth gamës së plotë të marrëdhënieve” me presidentin e Somalilandit, Abdirahman Mohammed Abdullah, në kryeqytetin Hargeisa.

“Ne jemi të vendosur që në mënyrë të vrullshme t’i avancojmë marrëdhëniet mes Izraelit e Somalilandit” – shkroi diplomati mysafir, duke publikuar një fotografi ku shihej në takim me presidentin e shtetit të vetëshpallur në pallatin presidencial.

Ministria e Informacionit e Somalilandit tha më herët në rrjetin X se ministri Saar ishte duke udhëhequr një delegacion të nivelit të lartë, pa dhënë hollësi të tjera.

Ministri Saar tha se presidenti Abdullah ka pranuar një ftesë nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, për të realizuar një vizitë zyrtare në Izrael.

Ministria e Jashtme e Somalisë tha në një deklaratë se vizita e kryediplomatit izraelit përbën “ndërhyrje të papranueshme” në çështjet e brendshme të saj./Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, merr brohoritje nga…