
Kryediplomatja e BE-së: Ukraina nuk duhet të heqë dorë nga territori në këmbim të paqes me Rusinë
Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, ka thënë se Ukraina nuk duhet të heqë dorë nga territoret e saj si pjesë e ndonjë marrëveshje paqeje me Rusinë.
Duke folur me gazetarët në Luksemburg pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, Kallas e bëri të qartë qëndrimin e saj mbi papranueshmërinë e tregtisë me territoret ukrainase. “Nëse thjesht i japim territoret, atëherë kjo u jep një mesazh të gjithëve se mund të përdorni forcë kundër fqinjëve tuaj dhe të merrni atë që dëshironi. Mendoj se kjo është shumë e rrezikshme. Kjo është arsyeja pse kemi ligjin ndërkombëtar në vend, [në mënyrë] që askush të mos e bëjë këtë”, shtoi Kallas, raporton Telegrafi.
Gjatë një takimi të premten e kaluar, Steve Witkoff, i Dërguari Special i presidentit të ShBA-së, Donald Trump, sugjeroi që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të heqë dorë nga Donbasi si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi.
Vetë Trump tha në një intervistë me Fox News të dielën se Rusia do të mbante një pjesë të territorit që pushtoi gjatë luftës.
Sipas një burimi të Politico, udhëheqësit e BE shprehën mbështetjen e tyre për Zelensky pas takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, udhëheqësit evropianë ishin të kujdesshëm në deklaratat e tyre, nëse Ukraina duhet ta mbajë të gjithë territorin e saj sipas një marrëveshjeje të mundshme paqeje.