
Kryeministri britanik: I bëjmë thirrje Iranit dhe Izraelit të respektojnë armëpushimin
Mbretëria e Bashkuar i bën thirrje Iranit dhe Izraelit të “respektojnë armëpushimin”, tha kryeministri i këtij vendi Keir Starmer.
Në një deklaratë për parlamentin, kryeministri, i cili u kthye nga samiti i NATO-s në Hagë gjatë natës, tha se për dekada ka qenë politikë e deklaruar e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të saj, që “Irani nuk duhet të ketë kurrë një armë bërthamore”.
“Askush që interesohet për sigurinë e vendit tonë ose të ardhmen e Lindjes së Mesme, nuk mund të jetojë me këtë mundësi”, tha ai.
Starmer theksoi të shtunën se SHBA-të ndërmorën një “hap të madh drejt zgjidhjes së këtij kërcënimi”.
“Tani ka një dritare për paqe. Ne i bëjmë thirrje Iranit dhe Izraelit të respektojnë armëpushimin dhe të përdorin këtë mundësi për të stabilizuar rajonin”, tha ai.