Kryeministri grek kërkon falje për aksidentin me trena

05 mars 2023 | 14:12

Kryeministri grek më 5 mars ka kërkuar falje nga familjet e 57 viktimave në tragjedinë më të rëndë me trena në shtet, teksa mijëra protestues u mblodhën në Athinë dhe u përleshën me policinë.

“Si kryeministër, ua kam borxh të gjithëve, veçmas familjarëve të viktimave që t’iu kërkoj falje. Për Greqinë e vitit 2023, dy trena që udhëtojnë në drejtime të ndryshme nuk mund të lëvizin në shinë të njëjtë dhe askush të mos e vërejë”, ka shkruar kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis në “Facebook”.

Përplasja e një treni të pasagjerëve dhe një të mallrave afër qytetit të Larisës të martën, ka nxitur zemërim në mbarë Greqinë.

Mijëra protestues të zemëruar janë mblodhur para Parlamentit në Athinë të dielën, pas thirrjes së studentëve, punëtorëve të hekurudhave dhe punëtorëve të sektorit privat.

Gjatë protestës pati përleshje midis policisë dhe protestuesve.

Protestuesit kanë lëshuar në qiell qindra balona të zinj në kujtim të viktimave dhe disa mbanin mbishkrime: “Mjaft me qeveritë vrastare”.

Pas tragjedisë, shërbimet e trenave dhe metrove janë paralizuar nga grevat.

Më 4 mars, Shqipëria ka konfirmuar se katër shtetas shqiptarë ose me origjinë shqiptare janë në mesin e viktimave të përplasjes së trenave në Larisa. Të dielën, më 5 mars, në Shqipëri është ditë zie në nderim të viktimave shqiptare në aksidentin në Greqi.

Për shkak të aksidentit, ministri grek i Transportit ka dhënë dorëheqje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në shënimin e…