
Kryeministri i Francës u mbijeton dy votëbesimeve në Kuvend
Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, të enjten u mbijetoi dy mocioneve të votëbesimit në Kuvend, duke fituar mbështetje jetike nga Partia Socialiste falë zotimit të tij për ta pezulluar reformën e kontestuar pensionale të presidentit Emmanuel Macron.
Dy mocionet e paraqitura nga partia e së majtës ekstreme, Franca e Papërkulur, dhe partia e së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar, siguruan vetëm 271, përkatësisht 144 vota – dukshëm më pak se minimumi i 289 sa duheshin për ta rrëzuar Qeverinë e re të kryeministrit Lecornu, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Duke e vënë reformën pensionale në koshin e mbeturinave, Lecornu rrezikon që ta shuajë njërën nga trashëgimitë kryesore ekonomike të Macronit në kohën kur financat e Francës janë në gjendje të rrezikshme, duke e lënë presidentin me pak arritje në politikën e brendshme pas tetë vjetëve në krye të vendit.