Kryeministri i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shqiptar
Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, ka deklaruar se BDI-ja nuk do të bëjë kompromis me postin e kryeministrit në negociatat për formimin e qeverisë së re.
Ai ka deklaruar se ka ardhur koha që Maqedonia e Veriut ta ketë kryeministrin shqiptar.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Ahmeti ka thënë se Maqedonia e Veriut u takon edhe shqiptarëve dhe se duhet të bëhet një kthesë e madhe në këtë drejtim.
“Ne e kemi në programin tonë zgjedhor që kryeministri i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shqiptar. Pra, duhet të bëhet një kthesë e madhe në këtë vend sepse ky shtet është edhe i shqiptarëve. Duhet t’i jepet fund monoetnisë për kreun e qeverisë. Ky vend, sa iu takon të tjerëve, na takon edhe ne shqiptarëve. Sa kanë përgjegjësi të tjerët, po aq përgjegjësi kemi edhe ne. Do të ishte një porosi e mirë për rajonin dhe për komunitetin ndërkombëtar, por do të ishte një porosi e mirë për të gjithë qytetarët që jetojnë në këtë vend. Sepse përgjegjësitë po i ndajmë në të gjitha drejtimet, deri edhe në drejtimin e shtetit”, ka thënë Ahmeti.



