Kryeministri kroat tha se Serbia është buzë luftës civile, reagon Vuçiq: Po synon të na dëmtojë imazhin

02 shtator 2025 | 22:40

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata e kryeministrit kroat, Andrej Pllenkoviq, se Serbia është në prag të një lufte civile, është “keqdashëse” dhe e “qëllimshme”, që sipas tij, synon ta dëmtojë imazhin e Beogradit në botë.

Pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, në Pekin, Vuçiq u tha gazetarëve se e “çudit fakti që disa qytetarë të Serbisë nuk e shohin këtë”.

“Nuk do të ketë asnjë luftë civile në Serbi. Serbia do të vazhdojë të rritet me shpejtësi të madhe”, tha Vuçiq më 2 shtator, kur u pyet nga gazetarët që të komentojë deklaratën e Pllenkoviqit.

Vuçiq tha po ashtu se Serbia “do të vazhdojë të jetë gjithnjë më e suksesshme pavarësisht përpjekjeve të mëdha të Kroacisë, si ato zyrtare ashtu edhe jozyrtare, jo vetëm që të mos përparojë, por edhe të kthehet në të kaluarën e largët, kur disa presidentë serbë i serviloseshin dhe u kërkonin falje atyre që përzunë serbët”.

“Ne do të vazhdojmë të shtrijmë dorën për Kroacinë pavarësisht të gjitha komentimeve të tyre keqdashëse dhe kurrë nuk do t’u dëshirojmë asgjë të ngjashme”, theksoi udhëheqësi serb.

Pllenkoviq një ditë më parë, në Forumit Strategjik të Bledit, kur foli për zgjerimin e Bashkimit Evropian, deklaroi se Serbia “është në prag të një lufte civile, me më shumë se dy vjet trazira dhe protesta të mëdha, më të fortat dhe më seriozet, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina është nën kërcënim të vazhdueshëm nga separatizmi”.

Në një deklarim më vonë për gazetarët, Pllenkoviq tha se qëllimi i deklaratës së tij ishte të ilustronte për publikun “që nuk ndjek të gjitha detajet e situatës në Serbi se si duket gjithçka, veçanërisht në muajt e fundit”.

“Mos mendoni se unë mbështes një skenar të tillë, po thjesht po e përshkruaj”, tha Pllenkoviq.

Lidhur me këtë deklaratë të Pllenkoviqit ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila ka thënë se “qëllimi strategjik i Kroacisë është të shpërthejë një luftë civile në Serbi”.

“Pllenkoviq thotë se Serbia është në prag të një lufte civile. Po çfarë tjetër mund të ndodhë? Ata e kanë dëshiruar kaq shumë dhe kanë investuar kaq shumë në këtë. E dinë se qëllimi i tyre strategjik – që Aleksandar Vuçiq të mos jetë në krye të Serbisë – vetëm kështu mund ta arrijnë”, shkroi ajo në X.

Ndërkaq në Kroaci për këtë çështje ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i vendit, njëherësh ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq. Ai tha më 2 shtator se Kroacia nuk ka asnjë lidhje me problemet politike në Serbi.

Duke komentuar deklaratën e kryetares së Kuvendit të Serbisë, Anushiq u tha gazetarëve se Serbia dukshëm ka probleme të mëdha të brendshme politike, por e drejton gishtin nga Zagrebi për çdo problem të saj.

“Ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me këtë”, tha ai për gazetarët në Zagreb.

Sipas agjencisë Hina, ai tha se Kroacia gjithmonë ka shtrirë dorën drejt Serbisë në integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe organizatat perëndimore, ndërsa Serbia vendos se çfarë politike do të ndjekë.

“Unë u dëshiroj të gjitha të mirat dhe që së shpejti të bëhet anëtare e BE-së, NATO-s dhe të stabilizojmë këtë pjesë të Evropës”, theksoi ai.

Për dhjetë muaj, Serbia është përballur me protesta masive ku protestuesit kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 persona nga shembja e një strehe të betonit në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024.

Qeveria ka mohuar përgjegjësinë për ngjarjen, ndërsa Vuçiq, ka refuzuar të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat që nga maji po i kërkojnë protestuesit që po udhëhiqen nga studentët. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Miliarderi i teknologjisë Elon Musk ka shprehur këtë të martë…