Kryeministri Kurti takohet me ambasadorin britanik, ja për çfarë biseduan

19 mars 2020 | 15:14

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Kurti e ka njoftuar Abbottin se situata pas shfaqjes së koronavirusit në Kosovë, është stabile dhe masat e marra nga qeveria po e mbajnë gjendjen nën kontroll.

Ai ka theksuar se të sëmurët me COVID-19 janë në gjendje stabile dhe gjashtë nga ta janë liruar ta vazhdojnë shërimin në shtëpi, në vetizolim.

Sa i përket situatës politike, Kurti ka bërë me dije se në këtë situatë të menaxhueshme nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme dhe se thirrja e presidentit është e pabazuar dhe e panevojshme.

Nga ana e tij, ambasadori Abbott, ka thënë se në këtë situatë të emergjencës së shëndetit publik është esenciale që veprimet politike të institucioneve shtetërore të qeverisen sipas Kushtetutës së Kosovës.

Ai ka bërë thirrje që të gjitha palët duhet të sigurohen që diskutimet dhe negociatat e tyre të zhvillohen në mënyrë që t’i sigurojnë të gjitha komunitetet në Kosovë, pa shkaktuar brengosje të shtuara që ndihen nga të gjithë në këto kohë të vështira.

Ambasadori Abbott e ka siguruar Kurtin për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për pavarësinë dhe stabilitetin në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një moderator që jep parashikimin e motit ka publikuar së…