Kryeministri polak i mbijeton votëbesimit në parlament, rifiton kontrollin

11 qershor 2025 | 17:00

Nën duartrokitje dhe brohoritje të emrit të tij nga mbështetësit, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i ka mbijetuar votës së besimit në parlamentin polak.

Sipas raportimeve të medieve, deputetët kanë votuar 243 pro dhe 210 kundër qeverisë, pa asnjë abstenim.

Kujtojmë se Tusk e kërkoi këtë votë besimi pas humbjes së aleatit të tij politik në zgjedhjet e fundit presidenciale – një disfatë që e la të dobësuar dhe në nevojë për të riforcuar autoritetin e tij.

Para votimit, bëhet e ditur se Tusk i ka thënë parlamentit se nuk mund të “mbyllin sytë” ndaj realitetit se qeveria e tij përballet me “sfida më të mëdha”, për shkak të zgjedhjes së Karol Nawrockit si president, i mbështetur nga opozita e djathtë.

Dihet se në Poloni, presidenti ka të drejtën e vetos për ligjet, dhe Nawrocki, një konservator social që mbështet Donald Trumpin, kundërshton një Evropë federale si dhe pranimin e Ukrainës në NATO dhe BE. Ai pritet të vazhdojë të përdorë kompetencat presidenciale në mënyrë të ngjashme me paraardhësin e tij konservator, Andrzej Duda, gjatë 18 muajve të parë të mandatit të Tuskut.

Koalicioni i Tusk nuk ka mjaftueshëm vota për të përmbysur një veto presidenciale. Megjithatë, ky konfirmim i ri nga parlamenti i jep qeverisë së Tuskut një pozicion më të fortë, të paktën për momentin.

Tusk gjithashtu ka njoftuar më herët se do të ndërmarrë një riformatim të kabinetit në muajin korrik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve në Shqipëri për një tjetër…