Kryeministri Rama mbyll shkollat gyleniste në Shqipëri

25 shtator 13:47

Rama i dorëzohet më në fund presionit të Erdoganit duke mbyllur disa prej shkollave te lëvizjes Gylen në Shqipëri. Që dhurata e autokratit shqiptar ndaj të singjashmit të tij turk të ishte e plotë, lajmin për të e kanë dhënë të parat mediat shtetërore turke. Agjensia shtetërore e lajmeve turke ka njoftuar të enjten, pas mesnatës, se institucionet arsimore që i përkasin lëvizjes që Erdogan e ka etiketuar pa fakte të pranuara ndërkombëtarisht, si fajtore për grushtin e shtetit, do të mbyllen.

“Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së medresesë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002), medresesë “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996) dhe të “Memorial International School of Tirana (MIST)” të lidhura me strukturat e organizatës terroriste FETO në Shqipëri” ka , transmetuar Anadolu Agency (AA).

Pasi njofton se këto vendime do hyjnë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare agjencia njofton se ato janë marrë mes datave 13 dhe 26 shtator, kur ish-ministrja Besa Shahini kishte shpallur largimin dhe para se kryeministri te vizitonte Turqinë.

“Qeveria e Shqipërisë ka vendosur edhe mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare “Memorial International School of Tirana (MIST)”, në të gjitha nivelet arsimore (arsim fillor, arsim i mesëm i ulët, arsim i mesëm i lartë), që administrohej nga Shoqëria “Turgut Ozal Education”.

Rrjeti i Gylenit që në gjuhën e regjimit të Ankarasë njihet si organizata terroriste FETO, i kishte në pronësi këto shkolla përmes bashkëpunimit mes Fondacionit “Sema” dhe komunitetit mysliman shqiptar. Shqipëria ka qenë shpesh pre e kritikave ndërkombëtare për shkeljen e praktikave botërore në favor të autokratit turk.

“Shqipëria dyshohet të jetë pjesë e një marrëveshje sekrete me Turqinë për dorëzimin kundër procedurave ndërkombëtare të atyre që Erdogani i ka shpallur si gylenistë”. Kjo rezultoi nga një raport i zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, që mban datën 5 Maj 2020. Ai ngre shqetësim për atë që mund të cilësohet një praktikë e vazhdueshme e ekstradimeve apo dëbimeve të detyrueshme të shtetasve turq nga vende të ndryshme, drejt Turqisë.

Edi Rama nuk e ka fshehur asnjëherë nënshtrimin e tij ndaj tekave të Erdoganit. Në korrik 2019 ai e parnoi në një konferencë për shtyp se vizita e ministrit të Brendshëm të Turqisë, Süleyman Soylu në Tiranë, dhe takimi me të ka pasur si temë kryesore problemin e gylenistëve të përndjekur nga Erdogani. I pyetur për këtë kryeministri atëherë u përgjigj pa ekuivokë: “patjetër që ka pasur lidhje”.

Ky veprim ekstrem vjen pasi Rama e ka quajtur Erdoganin vëlla, pasi e ka shpallur Turqinë aleat strategjik, pasi ka kërcyer në dasmën e vajzës së sulltanit të ri otoman, pas i ka shkuar pas në votimin “antiamerikan” për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit pasi ka ngritur në Tiranë një memorial për viktimat e grushtit të shtetit. Por kryeministri është rreshtuar prej kohësh me presidentin turk në konfliktin që e ndan atë me vëllain armik, Fetullah Gylen. I futuar në maj 2018, në studion e Ilva Tares, Edi Rama i ka quajtur gylenistët një rrjet të rrezikshëm të cilët Shqipëria i mban nën vëzhgim.  I pyetur drejtpërdrejt për “rrjetin FETO” ai e ka quajtur atë një organizëm që tentoi përmbysjen e një pushteti të zgjedhur, me rrugën e dhunës dhe të armëve. Ai e quajti atë “një rrjet i rrezikshëm” dhe shtoi se shteti shqiptar i mban ata në vëzhgim.

Por, problemi është se përpos akuzave të Erdoganit, Gyleni i ka mohuar me këmbëngulje aludimet për implikimin e njerëzve të tij në grushtin e shtetit, ku mbetën të vdekur 250 qytetarë. Të njëjtin qëndrim e ka mbajtur deri më tani edhe SHBA dhe BE, të cilët nuk i kanë quajtur të besueshme përfundimet e një regjimi aspak demokratik si ai që mbretëron në Ankara.

Por, pa pyetur për to, Rama ka marrë i vendosur anën e së vërtetës së Erdoganit. Dhe atë që dikur e bënte me fjalë, tani, pas vizitës së fundit në Turqi, ai ka vendosur ta vërë në jetë edhe me vepra, pa pyetur për opinionin ndërkombëtar dhe ligjet shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një punëtor në Minierën e Trepçës ka ndërruar jetë sot…